Arbëri

Krasniqi: Kurti zgjodhi t’u vendosë haraç qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Kurti dhe mazhoranca në Kuvend u kanë vendosur haraç qytetarëve, duke zgjedhur siç ka thënë, të dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike.

Deklarata e Krasniqi ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të një dite më parë, e cila ka pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë.

“Ne jemi përpjekur me kohë që ta ndërgjegjësojmë qeverinë për krizën energjetike, por as Kryeministri Kurti e as mazhoranca nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësi përballë krizës. Ata thjeshtë zgjodhën ta dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur një haraç qytetarëve, pikërisht në kohën kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e rëndë Prandaj, kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike, dhe do vazhdojmë këtë betejë juridike deri në fund, kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë dhe ZRRE-së, në kurriz të familjeve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të premten që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjyqtari i rastit ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë deri në një vendim përfundimtar.