Arbëri

Në Danimarkë kritikohet marrëveshja për burgjet me Kosovën

Burgje

Foto: Ilustrim

Të dënuarit nga Danimarka që duhet ta vuajnë dënimin me burgim në Kosovë, duhet të paguajnë vetë sigurimin shëndetësorë, raporton “Jyllands-Posten”.

Ata duhet të paguajnë sigurim shëndetësor privat. Sigurimi do të paguhet nëpërmjet kursimeve të detyrueshme nga paga që të burgosurit marrin për punën e tyre në burg.

Kështu thuhet në projektligjin që po rregullon çështjen e transferimit të burgosurve nga Danimarka në Kosovë. 

Personat që janë dënuar me burgim dhe deportim për vepra penale në Danimarkë, do të vuajnë dënimin në Kosovë sipas marrëveshjes që është arritur mes dy shteteve.

Disa organizata të të drejtave të njeriut kanë kritikuar projektligjin.

Instituti Danez kundër Torturës (Dignity) e sheh problematike, nëse nuk ka zgjidhje alternative nëse të burgosurit, për një arsye apo tjetrën, nuk arrijnë të kenë sigurim shëndetësor.

“Drafti nuk ka një Plan B, nëse nuk është e mundur të sigurohet një sigurim shëndetësor privat. Vetëm Plani A ceket, që nuk dihet nëse mund të arrihet”, ka thënë Marie Brasholt, nga Dignity.

Sipas projektligjit, të dënuarit me deportim, sipas propozimit, duhet të vuajnë dënimet e tyre në Kosovë nga viti 2023. Ndërsa atyre do t’i ofrohet tretman i ngjashëm siç do ta kishin në burg danez.

Sipas vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tretmani në burg duhet të bëhet nën përgjegjësinë e një doktori danez. Projektligji propozon që trajtimi në burg të mbikëqyret nga Agjencia Daneze për Sigurinë e Pacientëve. Mirëpo, nuk është e definuar se sa shpesh duhet të mbikëqyret.

Departamenti për të Drejtat e Njeriut po ashtu kritikon mundësinë që Ministria e Shëndetësisë të vendosë rregulla në fushën e shëndetësisë që mund të shmangen nga të burgosurit.