Arbëri

​Raporti i IFC-së: Dogana ka shënuar përmirësim në kohën e zhdoganimit të mallrave

Descriptive Text

Në vitin 2021 Dogana e Kosovës ka shënuar përmirësim të dukshëm në kohën e zhdoganimit të mallrave nga momenti i hyrjes deri në përfundim të procedurave doganore si në eksport ashtu edhe në import. Kështu thotë raporti i realizuar nga IFC, pjesë e Bankës Botërore dhe Dogana e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu u shpreh se ky hulumtim flet për rezultate më të mira në kohën e zhdoganimit të mallrave krahasuar me hulumtimin e njëjtë të bërë në vitin 2016. Ai tregoi disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë aspekt.

“Hulumtimi që është bërë ka gjetur se nga hulumtimi i fundit në vitin 2016 ka pasur përmirësime të dukshme dhe kjo është shumë inkurajuese por gjithashtu jam shumë mirënjohës për punën e ekipit dhe rekomandimet që kanë bërë që këtë proces ta avancojmë tutje duke siguruar mundësi më të mira në të bërit bizneset e veçanti për eksportin dhe importin...Vendimi i Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e avancuar të qarkullimit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve. Kjo marrëveshje do të vijojë edhe me avancim, edhe me procesin e plotë të zhdoganimit në portet detare fillimisht dhe pastaj me zgjerim ku konsiderohet e nevojshme nga industritë e ndryshme. Gjithashtu gjatë vitit të kaluar kemi pasur një marrëveshje me Maqedoninë të nënshkruar nga ministrat e Financave të dy vendeve për vendosjen e kontrollit të përbashkët në stacionin hekurudhor në Han të Elezit ku do të bëhet vetëm një ndalesë e dërgesave dhe transportit të personave në transportin hekurudhor”, theksoi ai.

Llugaliu u shpreh se Banka Botërore ka ndihmuar Doganën e Kosovës edhe në konceptin e operatorëve të autorizuar ekonomikë që aktualisht kanë arritur të kenë pesë operatorë të tillë.

Ai theksoi se në dy muajt e parë të këtij viti është shënuar rritje e eksportit prej 45 për qind.

“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur aktivitet në tregtinë e jashtme, të rritur me 27% e që një pjesë e madhe i dedikohet eksportit, ngjashëm edhe eksporti sivjet në dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin paraprak ka pasur një rritje 45%. Të gjitha këto aktivitete të rritura e detyrojnë Doganën e Kosovës të avancojë lehtësira tregtare që të automatizojë procesin e zhdoganimit”, u shpreh Llugaliu.

Valon Feka nga UBO Consulting u shpreh se gjatë procedurës së importimit të mallrave koha mesatare nga momenti kur kamioni mbërrin në pikë-kalimin kufitar deri kur shkruhet urdhri i zhdoganimit është zvogëluar me 34.4%.

Studimi thotë se në 50% është zvogëluar koha mesatare prej kur kamioni me mallrat arrijnë në pikë-kalimin kufitar deri në largimin e tij, pasi në vitin 2016 ka qenë 6 minuta, ndërsa në vitin 2021 kjo procedurë është kryer për 3 minuta.

Po ashtu, nga ky hulumtim shihet se procedurat e shpedicionit merr më shumë kohë për shkak të procedurave të zhdoganimit të mallrave qoftë në eksport apo import.

“Nëse shohim rezultatet nga viti 2016 deri në vitin 2021 shohim se ka pasur një ndryshim pozitiv prej 34.3% tek intervali që flet për kohën mesatare nga momenti kur kamioni mbërrin në pikë-kalimin kufitar deri në momentin kur Dogana shkruan urdhrin e zhdoganimit. Në vitin 2016 koha mesatare e nevojshme për të kryer gjithë këtë proces ka qenë 5 orë e 3 minuta, derisa rezultatet e vitit 2021 tregojnë se kjo kohë ka rënë në 3 orë e 19 minuta, rrjedhimisht i bie që kemi në progres 34.3% në zvogëlimin e kohës së nevojshme për ta kryer këtë operacion. Dogana ka dy lloj të procedurave që janë procedurat e rregullta dhe koha mesatare nga momenti kur kamioni arrin në pikë-kalim deri në urdhrin e zhdoganimit nëse ndiqen procedurat e rregullta koha mesatare është 7 orë e 55 minuta, ndërsa nëse është procedurë e thjeshtësuar është vetëm 2 minuta, një dallim jashtëzakonisht i madh varësisht nga procedura që përdoret, por studimi ka treguar se rreth 60% e bizneseve kalojnë në procedurë të thjeshtësuar”, tha ai.

Edhe në aspektin e eksportit ka progres në aspektin doganor, ku ka rënie të kalimit të procedurave për eksport nga momenti i dorëzimit të dokumentit doganor e deri kur kamioni del nga pika kufitare, me 16.8 për qind.

Violane Konar-Leacy, nga IFC e cila është në kuadër të Bankës Botërore, u shpreh se ka pasur përmirësime të konsiderueshme në procesin e kontrollit dhe zhdoganimit të mallrave. Sipas saj, raportet si ky janë edhe instrument i transparencës.

“Ka pasur përmirësime të konsiderueshme në vitet e fundit, për shkak të përpjekjeve që ka bërë administrata doganore nga studimi i parë. Studimi për kohën e lirimit të mallrave në kufi nuk është vetëm një vegël e mirë që shërben si pikë referuese, por janë edhe marrëveshjet për Organizatën Botërore të Tregtisë të cilat inkuadrojnë anëtarët e vet që të bëjnë këto studime në mënyrë periodike dhe t’i publikojnë rezultatet e tyre... Kjo i jep komunitetit të biznesit informata të duhura për procesin e kontrollit dhe zhdoganimit të gjërave dhe është një instrument i transparencës nëse informacionet bëhet publike”, tha ajo.

Disa nga rekomandimet e dala nga hulumtimi janë se orari i punës në terminale duhet të zgjatet, të harmonizohet orari i punës ndërmjet agjencive kufitare, unifikimi i procedurave të Doganës së Kosovës dhe të zhvillohet një sistem i vetëm për të siguruar shkëmbim të informacioneve ndërmjet agjencive kufitare.

Mbledhja e të dhënave për këtë hulumtim është bërë nga 15 deri 20 nëntor 2021. Ndërsa, të përfshira kanë qenë pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë. Një hulumtim i tillë nga Banka Botërore së bashku me Doganën e Kosovës ishte bërë edhe në vitin 2016./KSP