Arbëri

Dëgjohet dëshmitari i dytë mbrojtës në rastin e Mustafës

Në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës, po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtjes, Ahmet Ademi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Mustafës, ka shpjeguar veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë viteve ‘97-99.

Dëshmitari Ademi deklaroi në seancën e së hënës, se nga mosha 28 vjeçare kishte punuar në Kryqin e Kuq.

Gjatë vitit 1997, ai tha se serbët larguan punëtorët shqiptarë nga puna, me ç’rast u desh që veprimtaria e tyre të vazhdojë ilegalisht, duke hapur zyrë të Kryqit të Kuq për Kosovën.

“Kryqi i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna më 1997, për arsye se Kryqi i Kuq nuk donte që ne shqiptarët të dinim se çfarë po bëjnë ata, çka po vepronin. Për atë arsye na kanë larguar nga puna. Në vitin 1997, me profesorin Isuf Dedushaj e me anëtarë të tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht, që ka vepruar në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën”, tha ai.

Këtë zyrë dëshmitari tha se e kishin hapur në lagjen “Dardania”, ku kishte punuar edhe mjeku tashmë i ndjerë, Shpëtim Rrobaj. Ai u vra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Më 1998, për shkak të hapësirës së pamjaftueshme, kishin hapur edhe zyrën e dytë në një shtëpi private, rrugës për në Gërmi.

“Pas vdekjes së Shpëtim Rrobajt, zyra në ‘Dardani’ u shpartallua dhe kemi filluar punën në zyrën rrugës për Gërmi”, shtoi dëshmitari.

Ai ka deklaruar se Kryqi i Kuq serb kishte vazhduar të punojë, mirëpo tha se shqiptarët e kishin parë të nevojshme të krijohej Kryqi i Kuq i Kosovës me qëllim të daljes në ndihmë të popullatës shqiptare, pasi që ajo nuk kishte mundësi të furnizohej siç duhej me ndihma.

“Nuk kanë mujt m’u furnizu siç duhet, po mendoj me gjana ushqimore, shtrojë, mbulojë, qumësht për fëmijë, ata s’kanë mujt me marrë për arsye se ata (serbët v.j.) e urrenin popullatën shqiptare”, u shpreh Ademi. /BetimiPërDrejtësi