Arbëri

Rryma në mars me tarifa të reja, KESCO sqaron faturat

Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka dalë me sqarim se si do të përllogariten shpenzimet e qytetarëve në muajin mars, kur nis njehsimi me tarifa të reja, bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Vendimi parasheh që çdo kilovat mbi bllokun tarifor prej 800 kilovatësh për orë, do të paguhet me çmim të ri, më të lartë, se që ishte deri tash.

Pasi që muaji shkurt ishte i ndarë në gjysmë me përllogaritje të re dhe të vjetër, nga marsi njehsimi bëhet vetëm me tarifë të re dhe sipas KESCO-s kjo do të jetë më e thjeshtë për t’u kuptuar nga qytetarët.

“Në bazë të vendimit të ZRRE-së, konsumi juaj do të ndahet në dy blloqe, 0-800kWh dhe më i lartë se 800kWh, dhe në dy intervale ditore, ditë e natë, të dhëna këto që do të paraqiten në faturën tuaj në katër rubrika. Tashmë dihet se konsumi në bllokun e parë prej 0-800kWh do të faturohet me të njëjtat tarifa, ndërsa konsumi mbi 800kWh do të faturohet me tarifa të reja. Pra, me tarifa të rritura do të paguhet vetëm pjesa mbi këtë shpenzim. Nëse një konsumator ka shpenzuar gjithsej 900kWh, atëherë ai do të paguajë 800kWh me bllokun e parë, ku çmimet janë të pandryshuara dhe 100kWh me tarifën e lartë, të dyja të ndara edhe brenda konsumit ditë/natë”, ka sqaruar KESCO.

Sipas sqarimit, në faturën e konsumatorit do të shënohet përllogaritja e parë me A1/B1, që përfaqëson tarifën e lartë, në bllokun deri në 800kWh. Pra, do të llogariten aq sa ka shpenzuar kryesisht gjatë ditës, që në stinën e dimrit është nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 22:00. Ndërsa shpenzimet e bëra nga konsumatorët pas orës 22:00 deri në orën 7:00 paraqiten me kodin A2/B1.

“Kjo paraqet tarifën e ulët, që është bindshëm më e lira në Evropë dhe ndër më të lirat në botë”, thuhet në komunikatë.

“Konsumi nga 801kWh e tutje në tarifën e lartë, shembull gjatë ditës do të shënohet me A1/B2, ndërsa konsumi në tarifën e ulët shënohet me kodin A2/B2. Pas procesit të leximit, konsumi për bllok do të llogaritet me çmimet përkatëse. Fatura përfundimtare do të kalkulohet duke shtuar edhe tarifën fikse, që për konsumatorët e amvisërisë është 1.74 euro dhe TVSH-në në shumën 8 për qind”, ka vazhduar KESCO.

Sipas parashikimeve, KESCO ka thënë se mbi 78 për qind e qytetarëve s’do të preken fare nga rritja e tarifave, pasi kanë shpenzim më të vogël mujor se bllok tarifa.

Në fund kjo kompani ka apeluar për kursim që të lehtësohet barra e qytetarëve dhe sistemit eleketroenergjetik në kohë krize.