Deputetët e Kuvendit të Kosovës shpërfaqën homofobi dhe gjuhë të urrejtjes në seancën e së mërkurës, kur nuk votuan Projektkodin Civil, kanë deklaruar aktivistet e të drejtave të njeriut, Luljeta Demolli e Tringa Arifi në “60 Minuta” të KTV-së.
Demolli nga Qendra Kosovare për Barazi Gjinore, ka thënë se mosvotimi i këtij Kodi e ka kthyer Kosovën disa vjet prapa, ndonëse siç ka thënë, më mirë që nuk ka kaluar në atë formë si ishte.
“Mirë që nuk shkoi kështu siç ishte Kodi Civil. Ishte diskriminues dhe si union civil ne nuk donim që të shkonte për arsye se civilja në Kosovë do të duhej të kodifikohej si e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në harmoni. Nuk fliste për martesë por për një union civil në një nen ku ishte martesa burrë-grua. Ajo çka pamë dje e shpërfaqi një tjetër pamje që nuk do të donim ta shihnim si Kosovë. Një deputet me një gjuhë të urrejtjes aq të madhe për personat LGBT, shpërfaqi edhe një pozitë jo të koordinuar për temat që janë jetike për Kosovën. Mbjellën një frikë, kthyen shtetin 20 vjet prapa në këtë temë, sepse këto tema janë folur e përfolur më herët”, ka thënë Demolli.
Ajo ka shtuar se deputetët që dolën kundër martesave të gjinisë së njëjtë, nuk do të duhej të ishin më në Kuvend.
Demolli ka thënë se kryeparlamentari Konjufca duhet të marrë masa ndaj tyre.
Ndërkaq, Tringa Arifi, aktiviste, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të duhej ta sillte në Kuvend një projektligj pa e diskutuar brenda partisë.
Sipas saj, të mërkurën në Kuvend pati gjuhë të urrejtjes.
“Problemi më shumë se i ndarë në dy hemisfera të VV-së, nuk mendoj që duhet të sillen Projektligje të tilla pas diskutim. Ne jemi njerëz që për shtetin jemi statistika përderisa nuk e ke një Kod Civil që i rregullon disa të drejta të personave. Kjo është më shumë mendësi dhe kulturë. Kanë mungesë të kulturës ata deputetë”, ka thënë Arifi.
Projektkodi Civil ka dështuar të miratohet të mërkurën në Kuvend, me 29 vota kundër, 28 për dhe 4 abstenime. Në momentin e votimit, në sallë të Kuvendit ishin të pranishëm 77 deputetë, mirëpo 16 prej tyre nuk e shfrytëzuan fare të drejtën e votës.
Mosmiratimi i Projektkodit Civil dhe deklaratat e disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës kundër martesave mes gjinive të njëjta kanë nxitur protesta të enjten në Prishtinë.