Arbëri

Gafat e qeveritarëve po i sjellin dëme Kosovës

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të heshtë karshi postimeve të zyrtarëve të saj e një nga të cilat së fundi është demantuar nga zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës. Sipas studiuesit të medias, Abit Hoxha, komunikimi i tillë i zyrtarëve qeveritarë është i dëmshëm e se për gabime të tilla ata do të duhej të mbaheshin përgjegjës.

Keqcitimi i zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është dështimi i fundit i ekipit qeverisës të kryeministrit Albin Kurti.

Bislimi është demantuar të enjten nga Berge lidhur me përkrahjen që tha se e kanë marrë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e më pas pasoi edhe kërkimfalja nga zëvendësi i Kurtit.

Por, Bislimi nuk është i vetmi.

Dy ditë më parë këshilltarja politike e Kurtit ka ironizuar në Twitter me një postim të nënsekretares së Departamentit të Shtetit Amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, e cila ka përgëzuar Serbinë për raportet në rajon.

“Nah, kjo nuk është e vërtetë. Serbia me fqinjët nuk ka vetëm raporte të mira, por të shkëlqyeshme. Veçanërisht kur dërgon tanket në kufi e me fqinjët e avionët ‘Mig 29’”, pati shkruar Fëllanza Podrimja.

Bislimi e Podrimja me komunikimin e tyre i janë bashkuar ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila disa herë ka ngatërruar flamujt e shteteve për të cilat ka shkruar.

Një komunikim i tillë, sipas Abit Hoxhës, ligjërues i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agderit, thotë se mund të sjellë dëme të pariparueshme në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Hoxha shton se Ekzekutivit i duhet një qasje e re e komunikimit në rrjetet sociale.

“Unë mendoj që Qeveria e Kosovës, nuk ka strategji të komunikimit diplomatik në rrjetet sociale dhe platformat digjitale. Faktikisht është duke i bërë dëm Kosovës dhe Qeverisë shumë ky lloj komunikimi. Këshilltarët politikë nuk janë për me komuniku me askënd, këshilltarët politikë janë të këshillojnë kabinetin brendapërbrenda. Zyrtarët sikurse Bislimi, zëvendëskryeministrat janë të kryejnë punë e jo të përgënjeshtrojnë ose të bëjnë asi presionesh te partnerët me të cilët takohen”, ka thënë ai.

Lidhur me postimin e këshilltares e atë të zëvendëskryeministrit televizioni ka kërkuar sqarime nga Zyra e Kryeministrit, por ajo nuk është përgjigjur të premten.

E Abit Hoxha thotë se për gabimet e bëra dikush nga zyrtarët do të duhej të jepte dorëheqje.

“Nuk mund të them nëse është mirë ose keq të kërkohet një dorëheqje e tillë, por si akt moral kur dikush nuk mund ta përfundojë punën ose kur dikush dështon në një punë për të cilën është caktuar duhet të dorëhiqet. Në njëfarë forme është e papranueshme të ndodhë një komunikim i tillë kur të përgënjeshtron një zyrtar i lartë i Këshillit të Evropës”, ka shtuar ai.

Lidhur me postimin e këshilltares së Kurtit për nënsekretaren amerikane nuk kanë pranuar të deklarohen as në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.