Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hækkerup, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe shtetit të tij për të burgosurit danez, do t’ia mundësoj Danimarkës që të jetë më e zëshme në çështjet si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE.
Hækkerup ka thënë në një konferencë të përbashkët me ministren e Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu të premten, se është e rëndësishme që bota të shoh zotimin dhe angazhimin që ka Kosova drejt NATO-s dhe BE-së.
“Mendoj se një marrëveshje e tillë do të na mundësojë që të jemi më të zëshëm në çështjet si liberalizimi vizave dhe çështjeve të tjera që lidhen me BE-në dhe NATO-n. Dhe në këtë kohë kur bota po gjendet në vështirësi të mëdha, është e rëndësishme për ne që të shohim zotimin dhe angazhimin e madh nga Kosova drejt NATO-s dhe BE-së dhe dëshirës për të qenë pjesë e vlerave perëndimore evropiane. Kjo marrëveshje do të na mundësojë që t’i mbrojmë interesat e Kosovës në fusha të ndryshme përfshirë edhe aspektin e liberalizimit të vizave që e kuptoj që është një temë me shumë rëndësi dhe një temë që do ta diskutoj në Danimarkë gjithsesi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se marrëveshja mes dy vendeve, e nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar, ka peshë të madhe.
Sipas saj, marrëveshja do të nënshkruhet në fillim të muajit maj, dhe do të dëshmojë se Kosova është një partner serioz në botën demokratike.
“Qëllimi është që kjo marrëveshje të finalizohet sa më shpejt, më së largu në fillim të muajit maj. Por ende se kemi caktuar datën për miratim në Kuvendet e dy vende. Marrëveshjet me shtetet serioze mike i kontribuojmë zhvillimit dhe avancimit të shteteve tona. Ky akt do të dëshmoj se Republika e Kosovës është një partner serioz në botën demokratike. Vizitat e ministrit danez të Drejtësisë, Hækkerup dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e këtij partneriteti. Ne do të angazhohemi për forcim të bashkëpunimit të mëtejshëm”, ka thënë Haxhiu gjatë konferencës për media.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka konfirmuar marrëveshje me Danimarkën për të liruar një hapësirë të institucioneve korrektuese për të burgosur nga sistemi i drejtësisë i Danimarkës.
Bëhet fjalë për 300 të burgosur e për të cilët, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro kompensim nga shteti danez. Marrëveshja do të vlejë 10 vjet.