Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me pesë propozime për të cilat ka thënë se do ta lehtësonin jetën e qytetarëve të Kosovës në kohë të ngritjes së madhe të çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Në gjendje të jashtëzakonshme nuk ka sjellje të zakonshme! Situata është e jashtëzakonshme, përderisa Qeveria këtë gjendje po e trajton sikur të jetë e zakonshme”, ka njoftuar në një shkrim në Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Pika e parë është deri të aprovohet ligji për paga, secilit zyrtar publik t’i ndahen nga 100 euro shtesë.
AAK-ja ka kërkuar të largohet akciza përkohësisht për derivate dhe subvencionime shtesë për ata që sigurojnë grurin e miellit përmes riorganizimit të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë.
Kjo parti ka kërkuar edhe rritjen e pagës minimale menjëherë si dhe veprime urgjente për tarifat e reja të energjisë.