Arbëri

Gratë e komuniteteve përballen me mungesë të gjërave elementare

Krerë të institucioneve vendore, ambasadorë e organizata të ndryshme u mblodhën për të diskutuar mbi paragjykimet dhe diskriminimin e grave.

Ndërsa jo shumë larg këtij vendi, në një lokal të vogël në Fushë-Kosovë, u mblodhën gra të komuniteteve për t’i shfaqur hallet e tyre.

Rritja e dhunës në familje, martesat e hershme si dhe mungesa e gjërave elementare, ishin disa nga problemet që ato adresuan.

"Tek ne në komunitet janë tepër problem martesat e hershme. Vijë vet prej komunitetit egjiptian dhe martesa e hershme vjen për shkak se vajza nuk e ka vijuar mësimin, nuk ka arritur deri në një nivel të lartë të edukimit", tha Aida, banore nga Fushë-Kosova.

"Tjetra sa i përket dhunës, na e dimë që mundet me pasë dhunë, e mundet mos me pasë dhunë, por në komunitetin tonë është ajo pjesa që dhuna është personale dhe dhuna mbahet vetëm brenda mureve të shtëpive", tha Arjeta Shala, po ashtu banore në Fushë-Kosovë.

“Edhe ministri e përmendi për ujin, shumë kemi nevojë për ujë nëpër lagje tona, sepse na me ujë të puseve mundemi me marr ndonjë infektim, a diçka tjetër kemi nevojë shumë për ujë", tha Xhejlane Ahmeti, një banore tjetër nga Fushë-Kosova.

Për t’i dëgjuar sfidat e tyre, erdhi shefi i EULEX-it e ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Diskutimi i drejtave të grave, e drejta e pronës, fenomeni fatkeq i dhunës në familje dhe abuzimit të grave në veçanti nuk duhet të zhvillohet në sallë konferencash në hotele. Jam shumë mirënjohës dhe i lumtur që të gjithë keni vendosur të vini këtu”, tha shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Wigemarku ka thënë se gratë kanë qasje të kufizuar në të drejtat ekonomike, veçanërisht në të drejtat pronësore.

Ndërsa, ministri Elbert Krasniqi, pranoi se korniza ligjore që ua garanton të drejtat e komuniteteve, nuk gjen zbatim.

"Shumë më shumë jam i interesuar të ju dëgjojë juve sesa unë të ju tregoj për punët që i rregullon ligji, Kushtetuta, konventat ndërkombëtare, për shkak se them drejtë dhe shkurt, shumica nga to janë larg nga jush", deklaroi Krasniqi.

Për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas janë organizuar një sërë aktivitetesh, për t’i shpërfaqur paragjykimet dhe mungesën e gjithëpërfshirjes.