Rezultatet në dialog i ka përmendur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si parakusht i avancimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Në ditën e fundit të vizitës së saj në Kosovë, Von Cramon ka kërkuar që qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor të mos u jepen shpresa që rezultojnë në zhgënjim për secilin. Deklaratave të Von Cramonit u është përgjigjur nga distanca kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se është për dialog me parime dhe se BE-ja duhet ta nxitojë procesin e integrimit tash që Evropa është dëshmitare e luftës në Ukrainë dhe Serbisë që mohon krimet e luftës
Deklaratave për përshpejtim për anëtarësim në Bashkim Evropian u është kundërpërgjigjur gjatë së shtunës, raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian, Viola Von Cramon. Siç ka thënë eurodeputetja, nuk ka shteg të shpejtë për anëtarësim të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht rrezikut në kontinentin evropian si pasojë e luftës që Rusia e nisi në Ukrainë.
“Kur është fjala për Ballkanin Perëndimor nuk shoh që ka, të themi kështu, procedurë me shteg të shpejtë për këdo në këtë mes. Ende na duhet të luftojmë për ju në aspektin e liberalizimit të vizave. Ky është hapi i parë. Pastaj na duhet ta kemi një dialog të suksesshëm. Ky është hapi i radhës dhe pastaj mund ta hapim rrugën normale të eurointegrimit. Nuk shoh që ka shumicë, ndoshta e kam gabim, ndoshta po llogaris keq, me aq sa kam dëgjuar deri më tani”, ka deklaruar eurodeputetja.
Në ditën e katërt dhe të fundit të vizitës së saj në Kosovë, Von Cramon u bëri thirrje liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit që janë jashtë BE-së të mos japin shpresa e t’i dëshpërojnë qytetarët e tyre për integrim.
“Do t’u kërkoja, po ashtu, të gjithë dhe secilin këtu në Kosovë dhe të tjerët në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të mos i rrisin pritshmëritë e popullatave të tyre, sepse në fund do të jemi ne ata që do të na duhet ta sqarojmë këtë dhe do të jetë, do të duket si zhgënjim për të gjithë dhe secilin. Mendoj që do të ishte e drejtë të thosha që ne sigurisht se kemi interes për t’i përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejt e të gjithë dhe secili duhet të punojë në agjendën e reformave”, ka deklaruar Von Cramon.
Pas konferencës së Cramonit, kryeministri Albin Kurti nga kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka bërë thirrje BE-së për të nxituar në proces të integrimit.
“Një bashkësi evropiane e fuqishme sa e drejtë, do të kuptojë se Ballkani ka qenë jo çështje e ngutshme e popujve të saj, por e vetë Evropës. Harmonia në Ballkan nuk është e vetëvetishme nëse nuk është pjesë e ngutshme e projektit të Evropës. Nuk na lipsen luftërat për të kuptuar subjektivizmin e botës serbe dhe të botës ruse. Shqiptarët janë aleatët e Evropës, kanë qenë dhe do të jenë aleatët e demokracisë. Sa më shumë Bashkimi Evropian i mbante larg vetes shqiptarët, aq më shumë funksionimi ynë shtetëror dëmtohej në nivelin tonë të brendshëm e demokratik”, është shprehur kryeministri Kurti.
Në ceremoninë e mbajtur për nder të Epopesë së UÇK-së, kryeministri Kurti ka thënë se i qëndron dialogut me parime dhe është shprehur kundër ngutisë në dialog, siç e ka quajtur ai, për pazare.
“Ne synuam përgjatë viteve dialog me parime dhe shumë shpejt aktualiteti kontinental po na vërteton se ngutia për dialog pa parime është e tillë që bëhet për pazare. Kombet nuk janë monedhë e as mall në duart e shteteve dhe përfaqësuesve të tyre të lartë, veç në mos po flasim për Serbi, Rusi e Bjellorusi. Ne duam paqe afatgjate, andaj edhe nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare. Një dialog i imponuar e pa parime është një konflikt i ardhshëm me pazare”, është shprehur Kurti. “Shqiptarët janë aleatët e Evropës”.
Ndërkohë, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Von Cramon ka thënë se tash që Rusia është suspenduar është mundësi e mirë që Kosova ta dëshmojë që i ka përmbushur kushtet. Sidoqoftë, sipas saj, duhen bërë përpjekje diplomatike me shtetet anëtare të këtij institucioni rreth përkrahjes së anëtarësimit.
“Ekziston një mundësi e mirë për të treguar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret madhore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. E meqenëse një nga kundërshtaret kryesore të këtij anëtarësimi është suspenduar, mendoj që ne mund ta gjejmë, shpresoj, një shumicë për këtë përpjekje, për këtë aplikim. Shpresoj që do ta gjejmë një rrugë ku ka shumicë të gjerë dhe ta shfrytëzojmë (v.j. momentin) e shumicës së gjerë si kontribut për paqe e stabilitet në Evropë si të tillë”, ka deklaruar Von Cramon.
Vizita e ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe bashkëpartiakes së saj, Annalena Berbock, që është paralajmëruar javën e ardhshme, siç ka thënë Von Cramon nuk është e sigurt për shkak të situatës “shumë dinamike” me luftën në Ukrainë.