Arbëri

Latifi: Prokuroria të hetojë suspendimin e inxhinierit që lajmëroi se në pistë ka kallbo të pasistemuara mirë

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se rasti i së mërkurës kur inxhinieri Demë Elezi është suspenduar nga puna nën pretekstin se i njëjti ka një biznes, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveçse me denoncimin e tij që në pistë kanë mbetur kabllo të pasistemuara mirë dhe se ka ndriçim të dobët.

I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Latifi ka thënë se lajmi që të merren masa ndaj një punëtori që sinjalizon një rrezikim të sigurisë së udhëtarëve dhe të suspendohet, është shokuese.

Ai ka njoftuar se si Sindikatë kanë thirrur kryesinë ekzekutive dhe kanë analizuar gjithë situatën e krijuar dhe se presin që zyrtarët të cilët e kanë marrë vendimin për suspendimin e tij, të pezullohen nga puna dhe të fillojë një hetim nga Prokuroria.

“Për ne ishte një lajm bombastik që të merret masa ndaj një punëtori që sinjalizon një rrezikim të sigurisë së udhëtarëve dhe të suspendohet, ajo për ne ishte shumë shokuese. Ne sot si Sindikatë kemi thirrur kryesinë ekzekutive dhe kemi analizuar gjithë këtë situatë të krijuar së fundmi. Ky inxhinier ka raportuar guximshëm keqpërdorimin e parasë publike dhe ka rrezikuar pozicionin e tij në vendin e punës duke denoncuar një rrezik që është paraqitur për udhëtaret. Ky punëtorë ka treguar një profesionalizëm, është një sinjalizues për të cilin punëdhënësi ka marrë vendim që ta suspendojë pa asnjë bazë vetëm të ndjellë frikë te punëtorët e tjerë që të mos guxojnë të raportojnë probleme”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetë fakti që ky punëtor i ka raportuar strukturave menaxhuese, tregon se kjo strukturë nuk dëshiron që të dëgjojnë për ligjet të cilat i shkelin vetë.

Latifi më tej ka treguar edhe një rast tjetër që ka ndodhur në Aerport, ku janë futur 90 valixhe të pakontrolluara.

“Gjatë grevës së punëtorëve, në Aeroport janë futur 90 valixhe të pakontrolluara. Kjo ka qenë një alarm i vërtetë, ne deri sot nuk kemi njohuri që është zhvilluar një hetim sepse punëtori kyç që është angazhuar nga menaxheri, Martin Alikovi, shihet duke bartur valixhe dhe përkundër që Ministria e Punëve të Brendshme e ka pezulluar qasjen e tij në Aeroport, ai vazhdon të punojë normalisht edhe pse është ngritur procedurë ndaj tij. Me këtë veprim, ky menaxher bashkë me disa të tjerë kanë bërë veprime të cilat duhet të hetohen, bashkë me rastin e mbrëmshëm që është kulminacioni i një rreziku që ka mundur të ndodhë. Personi I cili nuk është përgjegjës dhe nuk është i licencuar apo certifikuar për punën e sigurisë që duhet kryer, atë menjëherë duhet dërguar në burg”, ka thënë ai.

Sipas Latifit, për rastn e Elezit është gjetur vetëm një pretekst për ta larguar nga puna.

“Ne si Sindikatë kemi adresuar shkresa te shefi ekzekutiv, te Bordi i LIMAK-ut, te institucionet tona për veprimet e këtij menaxheri”.

Ai ka pretenduar se edhe vetë ka pasur një përvojë të suspendimit nga puna. Arsyeja ishte ndërrimi i ulëseve në vendin e punës me një punëtor që nuk ishte i të njëjtit sektor, por se e ndanin bashkë hapësirën e vendit të punës.

“Edhe unë sikurse Dema jam larguar nga puna dhe arsyetimi ishte se kam ndërruar karriget me një punëtorë tjetër që nuk është i sektorit tim, por se ndajmë të njëjtën hapësirë të punës. 87 punëtorë janë larguar nga vendi i punës pas grevave, të cilëve iu është thënë se kontrata u është skaduar dhe nuk ua vazhdojmë punën, ndonëse kontrata ka qenë me afat të pacaktuar”, ka shtuar ai.