Programet e universiteteve dhe kolegjeve nuk do të mund të akreditohen, nëse nuk do të kenë bartës me gradën akademike, së paku “profesor asistent”, dhe nëse secili nga bartësit nuk ka së paku një punim shkencor të publikuar. Ky vendim i Këshillit Shtetëror të Cilësisë i ka detyruar universitetet publike që të kërkojnë zgjidhje për stafin, e edhe të investojnë në komponentën e hulumtimit
Programeve studimore që akreditohen e riakreditohen nga 1 tetori 2022, u duhet të përmbushin më shumë kushte se sa deri më tash. Këshilli Shtetëror i Cilësisë atyre do t’u kërkojë që për bartës t’i kenë pjesëtarët e stafit akademik që së paku kanë gradën “profesor asistent” dhe minimum një hulumtim shkencor të publikuar në platformat SCOPUS ose Web of Science.
Nga ky vendim është ndikuar një numër i vogël i programeve në universitetin më të madh publik në Kosovë, atë të Prishtinës.
Sipas prorektorit për cilësi në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, para aplikimit për akreditim a riakreditim të programeve të reja do të gjejnë zgjidhje për personelin. Universiteti, siç ka thënë ai, do t’i avancojë për nga grada ata që kanë punime shkencore kredibile, ndërkaq do t’i heqë si bartës ata që s’kanë publikuar në SCOPUS e Web of Science.
“Pasi ta kemi bërë këtë analizën definitive për programet, ne do të procedojmë tutje qoftë me konkursin eventual për rekrutimin e stafit të ri, qoftë me ndërrimin e bartësve që kanë qenë ndoshta edhe tradicionalë me vite ose me dekada me bartës të rinj”, ka thënë Bahtiri. Sipas tij, nga 40 programe me të cilat kanë aplikuar për akreditim, vetëm dy janë prekur nga kriteret e KShC-së për shkak të numrit të pamjaftueshëm të publikimeve shkencore.
Ndonëse konfirmon se në vitin 2021 stafi i UP-së ka publikuar më shumë hulumtime shkencore, këtë sukses ai ia atribuon vendimeve të UP-së për t’i mbështetur financiarisht hulumtimet shkencore.
“Ne si institucion edhe para marrjes së tyre (këtyre vendimeve të KShC-së) patëm ndarë një fond prej 1 për qind të buxhetit të Universitetit të Prishtinës për punën kërkimore shkencore dhe vlerësojmë që ky fond i ndarë i universitetit ka dhënë efekt gjatë vitit të kaluar sepse krahasuar me vitin paraprak 2020, kur ishin publikuar rreth 100 punime shkencore në revistat e indeksuara në platformat që kërkohet sipas vendimit në vitin 2021, janë diku 300 punime të tilla, nga të cilat rreth 75 për qind janë në Web of Science dhe në ‘SCOPUS’”, është shprehur Bahtiri.
Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” kanë thënë se vendimi i KShC-së ishte i ngutshëm.
Por, Xhevdet Thaqi, prorektor për mësim e kërkime shkencore në UKZ, ka thënë se është mundësi e mirë për ta rritur kredibilitetin në sytë e publikut.
“Punimet shkencore marrin një kohë deri sa të indeksohen në platformat që kërkon AKA-ja. Është i ngutshëm. A është i arsyeshëm, unë e kuptoj që në një mënyrë një herë e përgjithmonë të mos lejojmë te ne, kur s’ka cilësi, s’ka cilësi”, ka thënë ai. Sipas Thaqit, programi i Ekonomisë është i rrezikuar nga kushtet që hynë në fuqi në tetor, mirëpo ka thënë se janë optimistë në plotësimin e kushteve.
Ndërkohë, në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) e vlerësojnë shtrëngimin e këtyre kritereve si faktor që përmirëson cilësinë.
Liridona Ademaj, koordinatore për monitorim në ORCA, ka theksuar se ka numër të madh programesh, por cilësi të vogël të tyre.
“Ky vendim i KSHC-së ka ndikim jetik në kalim të akreditimit apo mosakreditimin e një programi shkencor dhe këto standarde kanë ndikim pozitiv në cilësinë e programeve, sepse përmes këtij vendimi do të rritet niveli i cilësisë dhe do të ulet numri i sasisë së programeve”, ka thënë Ademaj.
Botimi në këto revista nuk i eliminon problemet, sipas Ademajt, pavarësisht se është progres në cilësi.
“Platformat Web of Science dhe SCOPUS janë më kredibilet mund të themi për botën akademike, por ka raste që ne kemi vërejtur se ka punime në revista shkencore që janë të dyshimta dhe janë në SCOPUS. Tash...ka edhe lëshime të tilla, por kjo është pak më e vështirë për t’u evidentuar”, është shprehur Ademaj. Universiteti, sipas saj, duhet të merret seriozisht me shkeljen e etikës akademike duke përfshirë plagjiaturën. Ndërkaq, prorektori për cilësi nuk ka qenë i gatshëm të tregojë nëse UP-ja ka ndonjë mekanizëm që e mbikëqyr plagjiaturën në punimet e stafit të universitetit.
Por, në institucionin që ka marrë vendimin për rritje kriteresh, nuk folën mbi kriteret. Kryetarja e KShC-së, Hasnija Ilazi, nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS për këtë çështje.
Bazuar në vendimin e Këshillit, secili program i nivelit bachelor duhet t’i ketë së paku tre profesorë, e i nivelit master, katër. Kritere dukshëm më të ashpra që nga viti 2020 janë për nivelin e doktoratës, ku përveç publikimeve në platforma shkencore për studentët e doktoratës, kërkohen së paku tri punime në pesë vjetët e fundit për mentorët e kandidatëve në platformat Web of Science dhe SCOPUS.