Për të tretën herë, pas 2015-s dhe 2018-s, 15-vjeçarët në Kosovë do t’i nënshtrohen testit PISA. Janë përcaktuar 237 shkolla gjithandej Kosovës, nga të cilat do të përzgjidhen 7 mijë nxënës për t’iu nënshtruar gjatë verës këtij testi ndërkombëtar, në të cilin dy herët e mëparshme Kosova është ranguar në vendet e fundit. Në Ministrinë e Arsimit kanë shprehur rezerva rreth rezultateve që priten tani
Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë shprehur pritje të mëdha për rezultatin që 15-vjeçarët nga Kosova do ta tregojnë në testin PISA. Pjesëmarrjen në këtë test për këtë vit e ka konfirmuar zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna, në një konferencë shtypi të organizuar të premten dhe ka thënë të jenë bërë përgatitjet fillestare për të.
“Kemi përfunduar fazën e përzgjedhjes së shkollave dhe jemi në fazën e konktaktimit të këtyre shkollave ku do ta marrim pastaj edhe listën e nxënësve prej të cilave do t’i përzgjedhim nxënësit”, ka thënë zëvendësministrja Maloku-Bërdyna.
Tek ka folur për rezultatin që pritet në këtë test, ajo ka vënë theksin tek efekti negativ i pandemisë në arsim, për të cilin ka thënë të ketë reflektuar edhe më shumë në vendet e varfra, në të cilat bën pjesë edhe Kosova.
“Përtej kësaj, natyrisht që pandemia ka shkaktuar çrregullime të shumta në nivelin arsimor jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë globin. Besoj se do të jetë me interes dhe do të shihet me interes nga ekspertët arsimorë që të shihet eventualisht se cilat do të jenë rezultatet në mes të vendeve dhe atyre që janë të pazhvilluara dhe atyre që janë më pak të zhvilluara e te kjo e fundi hymë edhe ne”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, në përgatitjen për testin ndërkombëtar PISA, Maloku-Bërdyna ka bërë të ditur se do të marrin pjesë mijëra nxënës.
“Natyrisht se ne tash angazhohemi në pjesën e pilotimit”, ka thënë ajo. “Deri më sot kemi përzgjedhur 237 shkolla dhe prej tyre presim që të përzgjidhen 7 mijë nxënës”.
E, sipas informacioneve që Ministria ia ka dhënë KOHËS, tashmë ka përfunduar testi provues dhe aktualisht në këtë institucion janë duke u përgatitur për testin zyrtar, që mbahet në fillim të pranverës.
“Testi-pilot ka përfunduar vitin e kaluar dhe qëllimi i tij ka qenë të përmirësohen pyetjet dhe administrimi. Tani jemi duke i bërë përgatitjet për testin zyrtar. Nxënësit do t’i shtrohen testit në grupe, sipas orarit që do të hartohet së shpejti, ndërsa datat e testimit do të jenë në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.
Testi PISA i vlerëson njohuritë e 15-vjeçarëve në fushat e të kuptuarit të leximit, matematikës dhe shkencës dhe mbahet çdo tre vjet. Kosova ishte e 75-a nga 77 vendet pjesëmarrëse në testin për të kuptuarit e leximit, matematikë dhe njohuri shkencore më 2018. Prapa kishte vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Përderisa është ky nivel arsimimi, në Qeveri kanë thënë të jenë duke bërë përpjekje edhe për përmirësim të bazës ligjore.
Zëvendësministrja Maloku-Bërdyna ka thënë, gjatë konferencës, se me Projektligjin për edukimin e hershëm synojnë të mbulojnë shërbime për fëmijë me aftësi të kufizuara e shkollim parafillor për fëmijët në gjendje të vështirë ekonomike.
“Është në proces të dërgimit për konsultim publik. Strategjitë që MASHTI do t’i ndërmarrë për ngritjen e qasjes dhe të cilësisë së programeve të edukimit në fëmijërinë e hershme edhe për fëmijët e cenuar ndër të tjera janë sigurimi i mbështetjes përmes asistentëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, lirimi për pagesa për familjet në nevojë duke përfshirë edhe familjet nga zonat rurale, familjet me status socio-ekonomik më të ulët, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët nga komunitetet pakicë”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, derisa është konfirmuar se projektligji kalon në konsultime publike javën e ardhshme, në Ministri kanë deklaruar se ende një pjesë e arsimit parafillor që lidhet me komunitetet joshumicë është në kuadër të strukturave paralele të Serbisë.
“Po, tani 23 vjet në Kosove operon sistemi paralel i arsimit dhe i njëjti përfshin edhe pjesën e arsimit parashkollor. Funksionimi i një sistemi të tillë i shkakton më së shumti dëme komunitetit serb, sepse pengon integrimin e qytetarëve të këtij komuniteti në Republikën e Kosovës. Qeveria është duke punuar me partnerët ndërkombëtare që edhe ky ‘paralelizëm’ të hiqet, ashtu si është hequr paralelizmi në disa fusha të tjera siç janë: gjyqësori, siguria, etj. Edukimi në fëmijërinë e hershme nuk është vetëm arsimim, por edhe përkujdesje për fëmijët”, thuhet në një përgjigje të shkruar që Ministria ia ka dhënë KOHËS.
Në këtë institucion nuk kanë treguar nëse ka pritje që Projektligji ta marrë mbështetjen e deputetëve të komunitetit serb, meqë kanë sugjeruar që pyetje për këtë t’i drejtohen Kuvendit.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se për ligjet që lidhen me arsimin “kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë në shumicë”.