Arbëri

Sot në Prishtinë protestohet kundër pushtimit të Ukrainës

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) ka bërë të ditur se do të mbajnë sot një protestë pranë Zyrës Ndërlidhëse ruse në Prishtinë, për ta kundërshtuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Kjo nismë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se protesta do të mbahet në ora 13:00, derisa ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen asaj.

“Po ju shkruajmë këtë kërkesë për mbulim mediatik për protestën paqësore të sotme që YIHR KS po organizon pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, që të kundërshtojmë pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe të kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të luftës. Përmes eventin në Facebook, kemi ftuar të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në ora 13:00. Duke qenë se në Kosovë kemi përjetuar efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, si shoqëri dhe si shtet duhet të dënojmë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë të bashkë-ndjejmë me njerëzit në Ukrainë për vuajtjet e tyre në këtë kohë shumë të vështirë”, thuhet në njoftim.

Përmes kësaj proteste, YIHR-ja i bën thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë të gjitha sulmet dhe të tërheqë trupat e saj nga territori i Ukrainës.