Arbëri

Rreth 40 mijë përdorues të drogave në Kosovë, shumë nga ta nën moshën 20 vjeç

160 paketime me heroinë ishin të fshehura në pajisje për ndriçim dhe po barteshin me këtë kamion.

Pakot që arrijnë sasinë 83.5 kilogramë u ndaluan mbrëmë në Han të Elezit e që për destinacion kishin kryeqytetin.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se për këtë rast ka ndaluar 7 të dyshuar.

Për aksione të tilla anti-drogë është raportuar jo rrallë herë.

Vetëm gjatë këtij dymujori, në raportin e Policisë është njoftuar për dhjetëra konfiskime e arrestime.

Para dy jave në Konushevc të Podujevës u konfiskuan mbi 90 kg marihuanë. Edhe në Suharekë, në një laborator, u kapën 32 kg marihuanë e mbi 2 mijë bimë kanabisi.

E sipas statistikave të Policisë, gjatë vitit 2020 dhe 2021 sasia më e madhe e konfiskuar është ajo e llojit marihuanë, heroinë dhe kokainë.

Më 2020 u konfiskuan 8.9 kg heroinë, 256.7 kg marihuanë dhe 2.7 kg kokainë. E më 2021, u kapën 3.6 kg heroinë, 499.5 kg marihuanë dhe 415 kg kokainë.

Këto të dhëna tregojnë edhe për rritjen e kërkesës dhe numrit të përdoruesve.

Këtë e konfirmon edhe Safet Blakaj, udhëheqës i qendrës për parandalimin e abuzimit me drogë, “Labyrinth”. Thotë se dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja dhe qasja e lehtë te drogat, janë disa nga faktorët që shtyjnë njerëzit drejt përdorimit.

“Ne mendojmë që përafërsisht në Kosovë janë diku 40 mijë të përdoruesve të drogave. Prej tyre mendojmë që janë diku 8 mijë a më tepër që janë përdorues problematikë”, tha ai.

Sipas Blakajt, problematike viteve të fundit është përdorimi i substancave nga moshat e reja.