Bashkësitë fetare i ftojnë deputetët të mos i legalizojnë martesat e gjinisë së njëjtë
Foto: Driton Paçarada / KOHA
Bashkësia Islame, Dioqeza Prizren-Prishtinë Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, janë bërë bashkë sot për të kundërshtuar Projekt-kodin civil, i cili është para deputetëve dhe pritet të votohet.
Pjesa e cila po kontestohet nga bashkësitë fetare është neni i cili i hapë rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Në emër të katër bashkësive fetare, gjatë konferencës së mbajtur të mërkurën mbrëma në Prishtinë, u lexua një deklarate e përbashkët dhe aty u ftua që siç u tha “të ruhen vlerat tradicionale të familjes”.
“Bashkësitë fetare, pas nismës për ndryshim të Projekt-kodit, pasi kanë shqyrtuar, pas konsultimeve, duke u bazuar në mësimet dhe predikimet dhe kodin e vlerave të popullit, shprehim qëndrimin dhe kundërshtimin tonë. Bashkësitë tona fetare mbesin të bashkuara sa i përket mbrojtjes dhe promovimit të familjes; mbrojtjes së vlerave tradicionale të bashkëshortësisë; mbrojtjes së jetës së fetusit prej ngjizjes e deri sa ai vjen; të drejtën e natyrshme gjinore si përcaktim për secilin qytetarë”, u tha në komunikatën e lexuar.
Sipas bashkësive fetare, në Kosovë dhe në shoqërinë e saj nuk ka vend për ripërkufizim të martesës. Bashkësitë kanë ftuar qeverinë dhe deputetët të mos prekin nenet ku bëhet fjalë për martesën.
“Ta prekësh përkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrëse në të, pra të burrit i lindur mashkull dhe gruas e lindur femër, mendojnë se po cenohet drejtpërdrejtë fjala dhe vullneti i Zotit si dhe mbulesa e tij e shenjtë për gjithë familjen. Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kosovës, Qeverisë dhe institucioneve tjera që të heqin dorë prej çdo ndryshimi për ripërkufizim, për çdo riinterpretim të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”, thuhet në deklaratë e përbashkët.
Bashkësitë fetare janë shprehur troç kundër kurorëzimit të personave me gjini të njëjtë, e edhe më shumë që ata të adoptojnë fëmijë.
“Shoqëria kosovare ka rrënjë të thella të vlerave dhe përcaktimeve konzervatore dhe si shoqëri fetare deklarojmë se ndjehemi të lumtur me këtë realitet”, u tha në deklaratë.
Projekt-kodi civil ka shkuar në Kuvend dhe mund të votohet. Ai është ndarë në pesë libra në mbi 1000 nene, e në librin e katërt flitet edhe për familjen dhe martesat e së njëjtës gjini.