Arbëri

Projektkodi Civil shqetëson bashkësitë fetare dhe komunitetin LGBTI

Descriptive Text

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë paralajmëruar se të mërkurën do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët lidhur me Projektkodin Civil, që pritet të dalë të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pjesa e cila besohet se po kontestohet nga bashkësitë fetare është neni i cili i hapë rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Deklarata pritet të nënshkruhet nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Femi Cakolli dhe kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri.

Çka parasheh Projektkodi?

Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Projektkodi Civil thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Ky paragraf ka nxitur edhe reagimet e organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e komuniteti LGBTI (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët).

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, e quan të pakuptueshëm termin “bashkësitë civile” dhe se ky komunitet, thotë ai, nuk do pranojë një gjë të tillë.

“‘Bashkësitë civile’ nuk përkufizohen në legjislacion, duke përfshirë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka kurrfarë rrjedhshmërie dhe ne nuk e dimë se a do hartohet një ligji i veçantë për këtë çështje. Ne gjithsesi do të vazhdojmë punën me deputetët e Kuvendit për të zgjidhur këtë problem”, thotë Nuhiu.

Nuhiu ka qenë i pranishëm në grupin punues të Projektkodit dhe tregon se rekomandimet e organizatave joqeveritare kanë qenë që martesa të definohet midis personave, ashtu siç është në Kushtetutë.

“Të përdoret termi neutral, që nënkupton të përdoret termi bashkëshortë”, thotë Nuhiu.

Dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile

Edhe pse me anë të këtij Projektkodi nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, e cila siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë. (Rel)