Rregullimi “i paligjshëm” i tregut të barnave

Çmimi i një ilaçi që përdoret për tension është i ndryshëm në barnatore të ndryshme të Prishtinës.
Çmimi i një ilaçi që përdoret për tension është i ndryshëm në barnatore të ndryshme të Prishtinës.
“Atoris/40” shitet me çmime nisur nga 4 euro e 60 centë deri në 6 e 40 centë.
Të luhatshme janë edhe çmimet e barnave, si “Lercanil” që varion nga 9 e 90 deri në 10 euro e 60 cent e “Enalaprillit” nga 1.50 – 1.80.
Diferencë prej njëzet-tridhjetë centësh ka madje edhe “Aspirini”.
E kjo situatë është e përditshme me pothuajse të gjitha barnat që nga paslufta në Kosovë.
Krejt kjo pasi Kosova, pas Bjellorusisë është një nga dy vendet e vetme në Evropë që nuk e ka të rregulluar çmimin e barnave me ligj.
Iniciativa për gjetjen e një zgjidhjeje përmes udhëzimeve administrative ka pasur qysh nga 2007-a, por që të gjitha ishin me mangësi sa i përket zbatimit në praktikë të tyre.
Pikërisht me këtë arsyetim është shfuqizuar edhe udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimit të barnave i nënshkruar në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ish-Kryeshef i Agjencisë së barnave, Zijadin Gashi, ka thënë se për 15 vjet ka pasur iniciativa për rregullimin e çmimit të barnave, të cilat nuk kanë pasur mbështetje ligjore.
“Ju thash se çështja e nivelizimit të çmimit të barnave deri tash më tepër ka qenë e karakterit të marketingut politik ku është mundu të gjendet një zgjidhje e shpejtë por e pabazuar në baza ligjore, dhe kjo dmth me ndërrimin e strukturave politike që kanë qenë në kuadër të ministrisë e ka sjell që ky problem të sillet strukturë pas strukture dhe ka ardhur deri te kjo situatë ku edhe sot jemi në një gjendje të tillë”, ka deklaruar Zijadin Gashi, ish-kryeshef i Agjencisë së Barnave.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo çështje pritet të rregullohet me ligj gjatë këtij viti.
“Ministria e Shëndetësisë ka hartuar koncept-dokumentin për çmimin e barnave, i cili do t'i paraprije Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave në Kosovë, që duhet të miratohet gjatë këtij viti për të rregulluar këtë çështje në mënyrë specifike. Udhëzimi të cilit i referoheni nuk ka mundur të jetësohet për shkak të zbrazëtirave që ka pasur në zbatimin praktik, të cilët synohet te evitohen përmes Ligjit për çmimin e barnave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E, kryetari aktual i Odës së Farmacisë së Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se kjo çështje mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të Komunitetit farmaceutik.
“Ligji ka paraparë rregullimin në kuptimin e vlerësimit të çmimit dhe krahasimit të çmimit e të njëjtit produkt në shtete rajonale, duke përdorur një metodologji të njohur të OBSH dhe shumë shteteve që e përdorin atë”, ka dekalruar Arianit Jakupi nga Oda e Farmacisë së Kosovës.
Qytetarët të cilët përballen çdo ditë me këtë fenomen shpresojnë që kjo të rregullohet sa më parë.
“Mirë kish me qenë shumë, shumë kish me qenë mirë se çmimet ndryshojnë prej barnatores në barnatore me qenë unike kish me qenë më mirë se tash oferta e kërkesa e bëjnë të veten”, -ka thënë Januz Haziri, qytetar.
Projektligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve medicinale është përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2022 e Qeveria e ka në plan ta aprovojë atë deri më 30 shtator.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.