2 perditesime
20:43

Bislimi: Jemi të shqetësuar me anshmërinë e Borrellit

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se pala kosovare është e shqetësuar me anshmërinë e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Bislimi ka thënë në “DESKU” të KTV-së se Borrelli po nxjerr qëndrime që jodomosdoshmërisht janë të Bashkimit Evropian.

“Në muajt e kaluar kemi pasur një seri të situatave, kur deklarimet e z.Borell, qoftë përmes mediave sociale, qoftë në konferenca për media, jo domosdoshmërish kanë qenë në funksion të krijimit të besimit në proces dhe jodomosdoshmërisht kanë qenë në harmoni me qëndrimin që do të mbante z.Borrell si ombrellë, dhe këto janë shqetësime edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ka disa indikatorë që tregojnë se z.Borrell jo domosdoshmërisht po arrin ta ruajë paanshmërinë dhe jodomosdoshmërisht po nxjerr qëndrime që janë qëndrimet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Bislimi.

Ai ka shtuar se e ka ngritur shqetësimin e tij edhe me partnerë nga Brukseli por edhe në dy adresa të tjera, të cilat nuk ka dashur t’i bëjë të ditura.

Ndërkohë, duke folur për dialogun, Bislimi ka thënë se në këto 10 vite të këtij procesi, ka pasur afrim por edhe largim të palëve kosovare dhe asaj serbe.

Ndërkaq, i pyetur se nëse do të ruhet RKS-ja në marrëveshjen për targa, Bislimi ka thënë se nëse del që Kosova ka pranuar targa me vetëm KS, atëherë dihet se ku duhet të kërkohet përgjegjësia.

“Ajo që mund të ndodhë është që brenda opsioneve të ofruara, pala kosovare të shkurtojë listën e një apo dy pastaj të vijë e të marrë konfirmimin e nivelit politik, se cila është e pranueshme për ne. Nëse në fund del që Kosova ka pranuar targa me KS dihet se ku duhet të kërkohet përgjegjësi. Unë po them që është një proces që është në vazhdimësi”, është shprehur Bislimi.

20:38

Bislimi e mohon involvimin politik në arrestimin e Molliqajt

Ka zero involvim politik në arrestimin e kryetarit të Partisë Social-Demokrate (PSD), Dardan Molliqaj, të martën në mbrëmje, ka thënë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në “ DESKU” të KTV-së.

Bislimi ka thënë se ka simpati për zërin aktiv të qytetarëve, kur ata kundërshtojnë proces të caktuara.

“Ka zero involvim politik. Z.Molliqaj as nuk është arrestuar se është ish-koleg i ynë apo koleg i ynë, është arrestuar për veprimin që ka bërë dhe për shkak se ftesës së policisë për intervistim nuk i është përgjigjur. Ky është versioni që unë e di. Kam zero kohë dhe zero interesim që të merrem me dikë si Dardan Molliqaj. Unë jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, si aktivist i LVV-së unë kam simpati për zërin aktiv të qytetarëve, kur kundërshtojnë procese. Në qoftë se unë gaboj diçka në negociata, do të isha i lumtur nëse qytetarët mundohen të më ndalin me protesta”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë, ai ka folur edhe për vizitën në Beograd të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Bislimi ka thënë se pret nga ata që të ndikojnë në palën serbe që të pranohen dokumentet për të cilat është diskutuar mes dy palëve.

“Nuk kam biseduar me ta për agjendën që ata kanë paraparë në Beograd. Si kryenegociator unë pres që të bëhet ndikim në palën serbe që të pranohen dokumentet për të cilat kemi diskutuar, dhe të ecim para dhe të bëjnë ndikim që sa më shpejtë të organizohet një takim në nivel të lartë ku do të diskutohet për marrëveshjen finale”, është shprehur Bislimi.

Escobari dhe Lajçaku qëndruan në Prishtinë për tri ditë ku kishin takime me liderët institucionalë dhe ata opozitarë. Temë kryesore e diskutimeve ishte dialogu me Serbinë, ku përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së ishin në një linjë se nuk do të ketë “Republikë Serbe në Kosovë”.

Ata kërkuan konstruktivitet në çështjen e dialogut, pasi thonë se është tejet e rëndësishme për stabilitetin në rajon.

20:29

Bislimi tregon dallimin mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, thotë se takohen në mars

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në procesin e dialogut me Serbinë, ka bërë dallimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Duke bërë dallimin mes tyre, ai ka thënë se Vuçiqi nuk ka aspak kredibilitet para ndërkombëtarëve, kurse Kurti sipas tij, nuk ka dhënë premtime në Bruksel e se është i “pastër” para tyre.

“Ne kemi shumë marrëveshje të arritura në Bruksel dhe deri tani ka shumë ngecje në to, deri tani nga Serbia ka mospërmbushje të 11 marrëveshjeve. Pala e Serbisë ka zero kredibilitet të kërkojë diçka nga pala e Kosovës, kur vetë i ka minuar marrëveshjet në Bruksel me mosimplementim. Duhet të bëhet një dallim cilësor, në tavolinë të bisedimeve kemi dy krerë të shteteve, Vuçiq dhe Kurti, por dallimi kryesor ka të bëjë me atë se Vuçiq i cili është përgjegjës për shkeljen e 11 marrëveshjeve, është personi që i ka nënshkruar të njëjtat. Në momentin e nënshkrimit ai ka dhënë një lloj premtimi në Bruksel për implementimin e tyre, me mosimplementimin e ka certifikuar veten si palë destruktive. Në anën e Kosovës nuk kemi asnjë marrëveshje që e ka nënshkruar Kurti, në asnjë moment nuk ka dhënë ndonjë premtim. Në tavolinë janë dy persona, personi i parë që ka zero kredibilitet dhe kemi një person që nuk ka dhënë premtime për marrëveshje”, ka shpjeguar Bislimi.

Në Deskun e KOHËS, Bislimi ka thënë se mesazhi kryesor që ka dhënë përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë, ka qenë që BE-ja do të jetë lehtësuesi i vetëm i bisedimeve me mbështetjen e SHBA-së.

Bislimi ka thënë se mesazhi i tyre “është rikonfirmim se duhet dinamikë e re në dialog”.

Ai ka treguar se në mars pritet të mbahet takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Duhet të krijojmë sa më shpejtë kushtet që krerët e shtetit të mblidhen në Bruksel dhe të bisedojmë për elementet që duhet të përfshihen në marrëveshjen e përgjithshme. Është problem të parashikohet, dakordimi im me Lajçakun është që gjatë muajit shkurt të kemi një takim në Bruksel apo diku tjetër në nivel kryenegociatorësh që të shohim se në ç’masë mund të sigurojmë një takim të tillë gjatë muajit mars”.

Synimi ynë, shtoi Bislimi, është që të mbahet sa më parë takimi e më pas fokusimi të jetë tek agjenda e integrimeve evropiane.

Marrë parasysh zgjedhjet në Serbi në prill, Bislimi ka thënë se kjo tregon se probabiliteti që “ne të jemi të suksesshëm në aranzhimin e takimit në mars nuk është edhe shumë i madh”. “Ideja jonë është që dinamika e dialogut nuk do të duhej të dominohej apo nënshtrohet dinamikave zgjedhore”, përfundoi ai.

Bislimi ka thënë se nuk mund të qartësohen të gjitha çështjet me vetëm një takim. Tha se e rëndësishme është “nënshkrimi i dy deklaratave për të cilat është punuar, ajo për të pagjeturit dhe mossulmim”.

Për përmbajtjen e deklaratave tha se nuk mund të flasë dhe se nuk zëvendësohen me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Bislimi ka theksuar se ka dakordim nga pala kosovare për këto deklarata. Nënshkrimi i deklaratave sqaroi se tregon aktivizimin e palëve që ndryshon dinamikën dhe përkushtimin e të dyja shteteve. Me rëndësi e quajti nënshkrimin e deklaratës që ndalon sulmin e ndërsjellë të shteteve. Tha se nuk i “druhen” një veprimi të tillë nga Serbia, por se është e rëndësishme për frymën e bisedimeve “nëse të dy palët tregojnë se gjatë kësaj periudhe do të flasin fjalët e jo MIG-at nëpër kufi”.