Arbëri

Nesër pritet të lehtësohen masat anti-COVID

Rishqyrtimin dhe lehtësimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në vend pritet që Ministria e Shëndetësisë ta bëjë gjatë ditës së nesërme.

KOHA ka mësuar se rekomandimi për zbutjen e masave do të bëhet gjatë mbledhjes së të enjtes të Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

Kjo në kohën kur në vend po vazhdon trendi i numrit të lartë të rasteve të infektimit dhe i vdekjeve nga COVID-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, gjashtë persona kanë vdekur dhe janë konfirmuar edhe 2 mijë e 590 raste të reja të të infektuarve.

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se ministri, Rifat Latifi, është takuar me ambasadoren e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi, dhe se gjatë takimit është diskutuar rreth situatës me pandeminë.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Latifi ka informuar ambasadoren rreth zbutjes së pritur të masave dhe ka bërë të ditur që të gjitha vendet fqinje do të njoftohen me kohë.

Vendet fqinje kanë ngritur shqetësime rreth masës së Qeverisë, që e bën të detyrueshëm paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit me tri doza apo me dy doza e një test PCR negativ për kalimin e kufirit.

Presione lidhur me masat ka pasur edhe nga bizneset. E dje, ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Me anë të një opinioni, ka kërkuar që të rishikohet masa e kufizimit të lëvizjes.

Por masat e Qeverisë po vlerësohen si të nevojshme, madje të vonuara nga specialistë të shëndetësisë.

“Masat të cilat janë ndërmarrë më duken paksa të vonshme, ndoshta do të duheshin të ishin më të hershme”, ka thënë Edona Dobroshi Deva, specialiste e shëndetit publik në CDF.

Ajo ka thënë se Omicroni është më i përhapshëm, andaj dhe mund ta stërngarkojë sistemin shëndetësor gjatë javëve në vijim.

Numër më i lartë i të hospitalizuarve tashmë po raportohet në të dhënat ditore të SHSKUK-së. 20 pacientë më shumë se një ditë më parë janë raportuar se po marrin trajtim në klinika të QKUK-së e në spitale regjionale. Sipas SHSKUK-së, aktualisht 232 pacientë të konfirmuar me Covid-19 janë duke marrë trajtim.