Arbëri

PSD: Qëllimi është të na frikësojnë, por nuk zmbrapsemi

“Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zmbrapsemi”, ka deklaruar të mërkurën, Partia Socialdemokrate, pasi një ditë më herët u arrestua kreu i saj, Dardan Molliqaj të cilët iu shqyrtua masa e ndalimit prej 48 orrësh.

Policia e Kosovës pas arrestimit publikoi ftesën për paraqitje të cilën thotë se ia kishte dërguar Molliqajt, por PSD-ja e ka mohuar këtë.

“Dardan Molliqaj nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë. Asnjë ftesë për thirrje nuk i është dorëzuar Dardan Molliqajt sipas Procedurës së Kodit Penal. Dardani ka qenë në shtëpinë e tij dhe në zyrë. Ai ka vazhduar aktivitet e tij, takimet në qytet e konferencën për media në zyrë. Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht opozitën kritikuese”, thuhet në kumtesë.

Në deklaratën e këtij subjekti politik thuhet se aktivisti Adem Megjuani i ishte përgjigjur ftesës dhe më pas është arrestuar.

“Ndërkohë, aktivisti Adem Megjuani iu përgjigj pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe u paraqit në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës. Pavarësisht kësaj, ndaj tij u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orëve. Kjo tregon që çështja nuk është aspak procedurale”, thuhet në reagim të PSD-së.

Të shtunën, PSD-ja mblodhi mijëra njerëz para objektit të Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar propozimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshim tarifash. Por, pos demonstrimit të pakënaqësisë para Qeverisë, Dardan Molliqaj e kishte goditur në fytyrë një polic. Molliqaj në një adresim publik ka pretenduar se vazhdimisht është provokuar nga zyrtarët policorë.