Arbëri

Prokurorisë i kanë mbetur pak ditë për të vendosur për rastin e 53 milionë eurove

Autostrada

Dhjetëra miliona shtesë i ishin dhënë konsorciumit “Bechtel-Enka” për projektin e ndërtimit të autostradës Prishtinë - Han i Elezit, në emër të kamatë-vonesës. Në vitin 2019 është raportuar për hetimet ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe shefit të kabinetit të tij, Eset Berisha, ndërsa janë bërë gati dy vjet e gjysmë që Prokuroria Speciale ende nuk ka vendosur për ngritjen e aktakuzës. Nëse ky vendim nuk merret edhe pak ditë, do të pushojnë hetimet ndaj dy ish-zyrtarëve qeveritarë

Vetëm pak ditë ka në dispozicion Prokuroria Speciale për të vendosur nëse do të ngrejë aktakuzë për pagesën e 53 milionë eurove në emër të kamatë-vonesës për konsorciumin amerikano-turk “Bechtel Enka”. Dhjetëra miliona shtesë ishin dhënë katër vjet më parë për projektin e ndërtimit të autostradës Prishtinë - Han i Elezit.

Për nxjerrjen e aktvendimit të Prokurorisë Speciale për fillimin e hetimit të ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe ish-shefit të kabinetit të tij, Eset Berisha, KOHA ka raportuar në vitin 2019. Kanë kaluar pothuajse dy vjet e gjysmë ndonëse ligjërisht afati i hetimeve sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale është 24 muaj.

“Kur fillohet hetimi, hetimi përfundon brenda dy (2) vjetëve. Nëse brenda dy (2) vjetëve nga fillimi i hetimit paraprak nuk është ngritur aktakuzë, ose nuk është pezulluar hetimi sipas nenit 157 të këtij kodi, hetimi menjëherë pushohet”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Afati kohor prej dy vjetësh ka kaluar. Por, sipas procedurës, afati mund të zgjatet edhe për 6 muaj në rast se hetimi është i ndërlikuar. E se është shtyrë afati në mënyrë të tërthortë e ka pranuar njëri nga prokurorët e angazhuar në këtë rast.

“Rasti është duke u shqyrtuar ende. Posa të këtë diçka do të njoftoheni. Ju e dini që ne nuk mund të japim detaje në këtë fazë”, ka deklaruar shkurt prokurori Valdet Gashi.

Por edhe zgjatjes së afatit prej gjashtë muajve i është afruar fundi. Brenda disa ditësh do të dihet nëse hetuesia ka mbledhur argumente të mjaftueshme për të akuzuar të dyshuarit për pagesën e 53 milionë eurove ndërtuesit të autostradës, konsorciumit “Bechtel-Enka”.

Burimet kanë treguar se ish-ministri Pal Lekaj para pak javësh është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale. KOHA ka kontaktuar avokatin e Lekajt, Arianit Koci, por ai nuk ka dashur të deklarohej.

Përveç Lekajt është kontaktuar edhe ish-shefi i kabinetit të tij, Eset Berisha.

“Nuk mund të deklarohem tash”, ka deklaruar Berisha.

Ish-shefi i kabinetit të Lekajt ka thënë se shumë shpejt do të merret vesh kjo çështje duke aluduar që televizioni i ka informacionet së çfarë do të ndodhë.

KOHA më shumë se dy vjet me parë pati siguruar një raport të kompanisë “Hill” , e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.

“Hill”, sipas këtij raporti, konsideronte se 39 milionë euro nga 53 milionë sa ishte kërkesa e “Bechtel-Enkas” për kompensim në emër të zgjatjes se kohës së punimeve, nuk është e arsyetuar, e rrjedhimisht Qeveria nuk do të duhej ta paguante.

Në hyrje të opinionit sqarohej se kujt ia kishin dorëzuar një dokument të tillë.

“Të mërkurën 13. 12. 2017, HILL kishte zhvilluar një takim me z.Ramë Qupeva (drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore) dhe me këshilltarin e ministrit z.Eset Berisha, i cili kishte paraqitur “Pakon e Informimit”, e cila ishte dorëzuar nga ana e kontraktuesit jozyrtarisht te ministri dhe në të cilën ishte përfshirë arsyetimi për autorizimin e kontraktuesit lidhur me zgjatjen e afatit kohor të nënshkruar më datën 21.12.2017. MEI kishte kërkuar opinion nga HILL lidhur me këtë ‘Pako të informimit’ deri më 21.12.2017. Ky dokumentin e kryer më në fund e kishte pranuar pasditen e datës 15.12.2017”, thuhej në këtë dokument.

Raporti kishte tetë konkluzione.

“Viti 2017 ishte vit krejtësisht i papengueshëm dhe kontraktuesit në masë të konsiderueshme nuk i dalin rrjedhjet e parave sipas llogaritjeve dhe si pasojë nuk mund t’ia dalë të mbulojë harxhimet e planifikuara. Totali i shumës së shpenzuar për kryerjen e punëve në vitin 2017 arrin përafërsisht 175 milionë euro derisa kontraktuesi kishte kërkuar 225.77 milionë euro. Ky fakt ngre dyshime se a kanë qenë edhe llogaritjet e kontraktuesit për rrjedhjet origjinale të parave për vitin 2014 joreale”, thuhej në konkluzionin e katërt.

Konkluzioni i fundit fliste qartë për atë se si e kishte vlerësuar kjo kompani shumën prej 53 milionë eurosh që kërkonte “Bechtel Enka”.

“HILL nuk pajtohet me llogaritjet e kontraktuesit për kompensim të kostos së zgjatjes së punimeve. Kostoja për pikën A mbetet e pandryshuar nga shuma e cila përfshihet në aneks dhe e cila arrin 14.78 milionë euro. Pika B dhe C mbesin të pandryshueshme”, thuhej në konkluzion.

Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit. KOHA posedon ende një kopje të raportit ku shkruhet edhe data e dorëzimit në këtë ministri.

Kostoja e autostradës “Arbën Xhaferi”, e gjatë 65.6 kilometra, sipas ish-ministrit Pal Lekaj, ka mbërritur në 700 milionë euro me investimet shtesë. Ndërsa për Lufti Zharkun, që këtë post e ka mbajtur një mandat më herët se Lekaj dhe ka qenë i përfshirë në këtë projekt, kostoja mbërrin në 800 milionë euro.