Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“El Mencho” u varros në arkivol të artë

El Mencho

Bosi famëkeq meksikan i drogës, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u varros në një arkivol të artë nga familja e tij të hënën.

Lideri i kartelit vdiq pasi u plagos gjatë një përplasjeje me armë mes truprojave të tij dhe forcave speciale meksikane, të cilat ishin dislokuar për ta kapur para disa ditësh.

59-vjeçari, themelues i kartelit famëkeq Jalisco New Generation Cartel (CJNG), ishte njeriu më i kërkuar në Meksikë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin ofruar shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Vdekja e tij shkaktoi valë të gjerë dhune hakmarrëse, gjatë së cilës anëtarë të kartelit dogjën automjete dhe bllokuan rrugë në 20 shtete të Meksikës.

Pjesëtarë të Gardës Kombëtare u angazhuan në numër të madh për të parandaluar shpërthimin e dhunës gjatë ceremonisë mortore pranë qytetit të Guadalajara, në shtetin e Jalisco, një bastion i kartelit.

Para ceremonisë, në shtëpinë mortore u panë duke u dërguar kurora të mëdha me lule, përfshirë edhe një në formë gjeli, si referencë ndaj pasionit të tij për luftërat me gjela.

Edhe Qyteti meksikan i kthyer në zonë lufte nga përplasja mes fraksioneve brenda kartelit të drogës Botë 4 muaj më parë Qyteti meksikan i kthyer në zonë lufte nga përplasja mes fraksioneve brenda kartelit të drogës

Nën udhëheqjen e Osegueras, CJNG-ja u bë organizatë e fuqishme kriminale transnacionale që u përhap nga fortesa e saj në Jalisco në shumë shtete të tjera meksikane, ku merret me prodhimin dhe trafikimin e drogës.

Vrasja e Osegueras nga forcat speciale meksikane është parë si një fitore për qeverinë e presidentes Claudia Sheinbaum, e cila është vënë nën presion në rritje nga homologu i saj amerikan Donald Trump për të bërë më shumë për të luftuar trafikimin e drogës.

Por ka pasur frikë se boshllëku i lënë pas nga udhëheqësi i fuqishëm i kartelit mund të shkaktojë rritje të dhunës në afat të shkurtër, pasi fraksione të ndryshme brenda grupit kriminal - i cili vlerësohet të ketë dhjetëra mijëra anëtarë - luftojnë për kontroll.