Arbëri

Mbahet takimi i katërt për targat, Lajçaku thotë se po qartësohen gjërat

Grupet Punuese për marrëveshjen për targa në mes të Kosovës dhe të Serbisë janë takuar për herën e katërt, ka bërë të ditur Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se gjërat tashmë po shkojnë duke u qartësuar.

“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë erdhën në Bruksel sot për takimin e katërt të Grupeve Punuese për Targat. Diskutimet sollën më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme”, ka shkruar Lajçaku në Twitter duke shtuar se inkurajon palët të vazhdojnë punët.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e arritën në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa.

Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Zgjidhja për mbulesë të targave është zgjidhje kalimtare dhe pika e tretë parasheh gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.