Arbëri

Sijarina: Qeveria e ka marrë anën e KEDS-it

Aktivistja Liridona Sijarina ka shprehur kritika ndaj Qeverisë, për të cilën e akuzon se e ka marrë anën e KEDS-it, në mes të propozimit së ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Sijarina thotë se “shteti nuk është duke e mbajtur anën e atyre që e kanë zgjedhur t’iu mbrojë interesat”. Aktivistja e shoqërisë civile shton se vetëm KEDS-i po rritet ekonomikisht, pasi kompanitë tjera globale janë duke vuajtur krizën energjetike.

“Për shkak të alarmimit të madh të krizës së energjisë, Qeveria e ka marrë anën e KEDS-it. Vazhdimisht është duke treguar se situata në terren nuk është ashtu qysh jemi t’u e perceptu ne. Dhe ka filluar ta subvencionojë me miliona, ka filluar të tregojë edhe kur po prishet ndonjë trafo. ZRRE duhet të tregojë pse po prishen kaq shumë trafot? Shteti nuk është duke e mbajtur anën e atyre që e kanë zgjedhur t’iu mbrojë interesat. Kjo Qeveri, që pretendon të jetë e majtë, duhet të jap alternativa më të përballueshme për qytetarët, e jo me ia mbajt anën një kompanie private. Qeveria po ia aprovon secilën kërkesë kësaj kompanie. Përtej frustrimit që kam si qytetare, kjo Qeveri po i kundërshton të gjitha parimet që ka ardhur në pushtet. Ligjërimi i kohëve të fundit i Qeverisë i shkon për shtati kompanive të tjera. Qytetarët nuk munden me ia mbështet një kërkese për rritje një kompanie private siç është KEDS-i. Ne nuk e dimë pse po na kërkohet për të dhënë më shumë para për një kompani private. Nuk e dimë se si KEDS-i, edhe pse është kriza globale energjike dhe kompanitë të mëdha po e vuajnë krizën, del me profit. Vetëm KEDS-i vazhdon me u rrit ekonomikisht. Kjo për mua është shqetësuese, sepse ne qytetarët po varfërohemi”, ka thënë Sijarina në “Java Sonte Me Rronin” të KTV-së.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, si kundërpërgjigje të kësaj fajësoi qeveritë e kaluara për privatizimin e shpërndarjes së energjisë.