Arbëri

As Qeveria e as opozita ende s’kanë dërguar komente në ZRRE për çmimin e rrymës

KEDS - faturat

Edhe tre ditë afat kanë mbetur që palët e interesit të dërgojnë komentet e tyre në Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me bllok-tarifat. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ende nuk i kanë dërguar komentet, meqë janë në proces të hartimit të tyre. Përveç Qeverisë, deri tani, sipas një njoftimi të ZRRE-së, asnjë subjekt politik nuk ka dërguar komente, mes tyre as partitë opozitare, të cilat e kanë kundërshtuar fuqishëm shtrenjtimin e rrymës.

Deri më 31 janar do të zgjasë afati për dorëzimin e komenteve të palëve të interesit në Zyrën e Rregullatorit për Energji, lidhur me propozimin e kësaj të fundit për shtrenjtim të rrymës.

Por, deri më tani as Qeveria e asnjë subjekt politik opozitar nuk i është drejtuar ZRRE-së me komente, ani pse shtrenjtimin e rrymës e kanë kundërshtuar fuqishëm.

Në një njoftim që ka lëshuar Zyra e Rregullatorit, ka bërë të ditur se deri më sot ka pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore, KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO.

Ndër rekomandimet e Komunitetit të Energjisë në Vjenë është që pragu i propozuar deri në 600 kW të rritet pak dhe konsumatorëve që shpenzojnë deri në pragun e rritur, t’u shtrenjtohet energjia elektrike për 5 për qind. Ata kanë propozuar edhe një rritje lineare edhe për bizneset.

E ndër rekomandimet e INDEP-it janë që tarifat e energjisë elektrike të rriten për 5.5 për qind për të gjithë konsumatorët dhe kategorizimi të bëhet në tri blloqe.

Nga Qeveria në një përgjigje për KOHËN kanë thënë se ende janë duke i hartuar komentet e tyre dhe se të njëjtat do t’i dorëzojnë brenda afatit ligjor. Ekzekutivi është përgjigjur edhe rreth kërkesave të qytetarëve për mosaprovim të bllok-tarifave.

“Qeveria nuk ka kompetenca apo fuqi të miratojë apo të refuzojë vendimet e ZRRE-së. ZRRE-ja është organi i pavarur dhe duhet të mbetet e të trajtohet i tillë. Ajo çfarë mund të bëjë Qeveria dhe në çka po angazhohet maksimalisht është që nëpërmjet masave afatshkurtra, përkatësisht, përmes zotimit për subvencionim të energjisë elektrike të zbusë ndikimin e kësaj krize globale energjetike te qytetarët e saj, teksa finalizon hartimin e Strategjisë për Energji, e cila synon zgjidhje afatgjate në fushën e energjisë. Qeveria është duke i finalizuar komentet e saj. Ato do të dorëzohen brenda afatit të përcaktuar. Ne do të mund t’i publikojmë ato vetëm pas dorëzimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Deri të premten, as partitë opozitare të cilat po e kundërshtojnë për shtrenjtim, nuk kanë dërguar komente.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i janë përgjigjur KOHËS, derisa nga PDK-ja, deputeti Ferat Shala ka thënë se komentet e partisë i ka propozuar tashmë në Komisionin Parlamentar ku ka qenë i pranishëm edhe Bordi i ZRRE-së.

Shala ka thënë se nuk kanë rekomandime, pasi që kërkojnë që ZRRE-ja ta hedhë poshtë tërësisht raportin me propozime.

Kundër shtrenjtimit të rrymës, nesër, në orën 14:00 Paria Socialdemokrate pritet të mbajë protestë.