Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL ka thënë se sfidat e rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbeten të njëjta si vitet e kaluara, siç janë reforma në administratën lokale, sundimi i ligjit, josiguria politike e probleme të tjera.
Hoxha tregoi se një temë e tillë u diskutua sot në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe PIPS, “Rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së: Sfidat në drejtësi, administratë publike dhe integrime evropian”.
“Nga konferenca që mbajtëm sot, njëra nga kritikat kryesore ishte se nuk kanë përfunduar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Reformat në drejtësi në ndryshimet legjislative, sidomos në veting janë shumë të rëndësishme për progresin drejt BE-së. Janë bërë një sërë temash që janë trajtuar njëkohësisht në konferencë. Problematikat në administratë, sundimi i ligjit dhe depolitizimi i institucioneve ishin sfidat tjera të Kosovës. Dallimi substancial për integrim në BE nga vendet tjera është fillimisht është statusi politik i Kosovës kundrejt vendeve të tjera. E dyta është një momentum krejt tjetër i Bashkimit Evropian, ku për 15 vjet kemi pasur vetëm dy herë zgjerime. Kjo ka krijuar probleme të konsolidimit të brendshëm të BE-së dhe kjo ka qenë e keqe për Kosovën. Në detyrat e brendshme, për rregullimin e administratës së brendshme, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, nuk na pengon ky status, vetëm na duhet shumë punë për t’i rregulluar. Si josiguri politika janë konsideruar zgjedhjet e shpeshta, mungesa e stabilitetit politik, jetëshkurtësia e qeverive viteve të fundit. Një marrëveshje me Serbinë do ta përshpejtonte qasjen e BE-së për integrim të Kosovës”, ka thënë Hoxha në “60 Minuta” të KTV-së.