Arbëri

Të hënën mblidhet Bordi i ZRRE-së

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), ka bërë të ditur se me datë 31 janar, do të mbahet mbledhja e radhës e Bordit të këtij institucioni.

“Po ju informoj se Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mbajë seancën e tij të dytë për këtë vit. Seanca do të mbahet me datë 31 janar 2022 prej orës 14:00, në zyrat e ZRRE-së. Agjenda e Bordit do të jetë e bashkangjitur. Seanca e Bordit përveç që është e hapur për publikun, po ashtu do të transmetohet drejtpërdrejt përmes profilit në facebook. Mediat dhe publiku, do të informohen me vendimet e Bordit gjithashtu edhe nëpërmjet komunikatës dhe vendimeve formale që do të bëhen publike në faqen zyrtare të ZRRE-së www.ero-ks.org.”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, dy ditë para kësaj mbledhjeje, saktësisht të shtunën, në Prishtinë do të protestohet kundër propozimit të fundit që ka dhënë ZRRE-ja, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo është agjenda e takimit të Bordit të ZRRE-së:

1. Miratimi i Rendit të Ditës;

2. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme;

3. Shqyrtimi i kërkesës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut për miratimin Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2022;

4. Shqyrtimi i Kërkesës së NQ Termokos për miratimin e Bilancit Vjetor të Energjisë Termike;

5. Shqyrtimi i Kërkesës së NQ Gjakova për miratimin e Bilancit Vjetor te Energjisë Termike;

6. Caktimi i Furnizuesit të Mundësisë së Fundit;

7. Shqyrtimi i propozimit për tarifat e ndërmarrjes NQ Gjakova për sezonin 2021/2022.

8. Shqyrtimi i Ankesave të Konsumatorëve

9. Të tjera.