Sindikata e Infermierëve ka nxjerrë konkluzat e Komitetit të SHSKUK-së. Përmes një komunikate ka njoftuar se, çdo punonjësi të SHSKUK-së i njihet resti rapid për COVID-19.
Por, testi duhet të bëhet brenda institucionit konform rregullave që i njëjti të njihet.
“Çdo të punësuari të SHSKUK-së (personeli shëndetësor dhe jo shëndetësor) i njihet testi rapid si test konfirmues për Covid-19 pozitiv, por i njëjti duhet të bëhet brenda institucionit, të regjistrohet në librat e protokollit dhe të lëshohet raport me shkrim nga mjeku i klinikës, spitalit apo institucionit përkatës. Për rezultatet e testeve duhet të njoftohet IKSHPK konform normave rregullative”, thuhet aty.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës e ka mirëpritur këtë vendim të SHSKUK-së, pasi vendimi i fundit thoshte se infermierët dhe stafi tjetër shëndetësorë të cilët rezultojnë pozitivë në testimin rapid do cilësohen vetëm si të dyshuar për infeksion me COVID-19, ndërsa për ta konfirmuar, infermierët do duhej që të bënin një PCR test, përndryshe format tjera nuk do pranoheshin si dëshmi nga punëdhënësi.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës njofton anëtarësinë e saj, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë që nga sot SHSKUK/QKUK do i pranoj si dëshmi edhe rezultatet pozitive që dalin nga testimet rapide, ndërsa nuk do ketë nevojë për testin PCR për konfirmim të infeksionit”, ka njoftuar sindikata.