Ekziston një frikë se mund të përsëritet fundi i gushtit të vitit të kaluar kur nuk ishte parashikuar mirë varianti Delta dhe shpërthimi i madh që ndodhi edhe me rastet aktive edhe të hospitalizimeve, ka thënë Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta”.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Vitija ka thënë se pavarësisht kësaj, Qeveria duhet ta ketë parasysh se gjendja aktualisht nuk është e njëjtë me atë të fundit të verës së kaluar.
“Ekziston një frikë se mund të përsëritet fundi i gushtit të vitit të kaluar kur nuk ishte parashikuar mirë varianti delta dhe shpërthimi i madh që ndodhi edhe në rastet aktive dhe të hospitalizimeve. Por ajo situatë prej kësaj që jemi sot dallon sepse varianti delta është e vërtetë që ka shkaktuar shifra rekorde me COVID-19 dhe të hospitalizmeve. Tash delta përveç shpërthimit të shpejtë, ka shkaktuar edhe hospitalizime në spitale”, ka thënë Vitija.
Sipas tij, janë të paarsyeshme masat që janë marrë së fundmi, marrë parasysh se tashmë rreth 45% e popullatës është e imunizuar me dy dozat e vaksinës anti-COVID.
“Masat që janë marrë deri para Vitit të Ri kanë qenë të arsyeshme mirëpo tash kur jemi në një situatë me rreth 45% të popullsisë me dy dozat, mund të jenë të kuptueshme të gjitha kritikat karshi këtyre masave. Edhe masat për hyrje në kufi janë paksa të ashpra. Ne nuk mund të bazohemi gjithmonë në politikat apo strategjitë e vendeve të zhvilluara si në SHBA-ja dhe brenda Evropës. Lehtësirat tek këto vende janë pak më ndryshe sepse hyrja në këto vende mundësohet përmes certifikatës digjitale, dhe kjo certifikatë, mundëson tri opsione: të jesh i vaksinuar me dy doza, të kesh një test negativ dhe të kesh një vërtetim që je shëruar prej COVID-it në një periudhë të caktuar”, është shprehur ai.