4 perditesime
21:12

Peci: Padia e Ganimete Musliut ndaj meje, më qesharakja

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka quajtur qesharake padinë nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

I ftuar në Desku të KTV-së, Peci ka thënë se nuk ka parë asnjëherë ndonjë praktikë kur sulmuesi ngre padi ndaj të sulmuarit.

Ai më tej bëri të ditur se për këtë padi është njoftuar nga raportimet në media dhe se nuk është kontaktuar deri më tani nga autoritetet.

“Nuk jam kontaktuar nga autoritetet, por ajo padi ndaj meje është më qesharakja që ka mundur të ekzistojë ndonjëherë sepse nuk kam parë praktika që ti të sulmohesh dhe sulmuesi të ngre padi. Kam përshtypjen që ajo është padia më qesharake që kam parë përmes mediave. Tema e diskutimit ka qenë pikërisht kjo për anulimin e granteve”, ka thënë ai.

Musliu kishte ngritur padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci në dhjetor të vitit të kaluar, pas përplasjes që kanë pasur në komision parlamentar.

Ajo ishte deklaruar se kjo padi ka ardhur për “shpifjet e tij me qëllim të dëmtimit të reputacionit publik si dhe dëmtimit të imazhit si deputete e Kuvendit të Kosovës”.

21:03

Peci: 15-20 milionë euro në vit janë abuzuar në Ministrinë e Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se në këtë ministri, janë abuzuar 15-20 milionë euro në vit.

“Vala e fundit e arrestimeve e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë diku 1 milion euro. Ndërsa Ministria e Bujqësisë që ka pasur një buxhet 60 milionë euro në vitet e fundit, në vitin 2022 ka 10 milionë ose 11 milionë euro më shumë pasi e kemi rritur buxhetin. Mbi bazën e një matrikse që organet e rendit dhe ndjekjes e kanë ndërmarrë, është një vlerësim që diku 15-20 milionë euro në vit janë abuzuar në Ministrinë e Bujqësisë”, ka thënë Peci në “DESKU” të KTV-së.

Sipas tij, skema e manipulimeve fillon në komuna pasi siç ka thënë, aplikimet ndodhin në drejtoritë komunale në komuna.

“Skema e manipulimeve fillon në komuna, pasi aplikimet ndodhin në drejtoritë komunale në komuna, kryesisht skema e korrupsionit është ndërlidhur prej zyrtarëve në drejtoritë e kadastrit dhe aty ka filluar pjesa e manipulimit. Qe një rast se si ka ndodhur manipulimi: në rast se zyrtarët të cilët kanë qasje në gjeoportal, i kanë pasur të identifikuara ta zëmë në 30 ditë krejt pasqyrën e krejt tokave bujqësore se ku ekzistojnë, edhe nëse ka pasur një afat shtesë prej 30 ditë në 15 ditë, në rast se shihet numri i aplikimeve në 40 ditë dhe në 5 ditët e fundit, kemi rritje eksponenciale. Rritja eksponenciale në 5 ditët e fundit ndodh pasi ka pasur aplikime fiktive. Kjo ka qenë shkalla e parë e procesit të manipulimeve. Aplikimi ka ardhur në ministri, dhe ndërlidhja kryesore e këtyre aplikimeve fiktive kryesisht për grurin, është legalizuar përmes zyrtarëve ose kryesisht inspektorëve të terrenit të cilët kanë shkruar raporte fiktive dhe i kanë përligjur këto prona që nuk kanë qenë reale. Zhurma më e madhe është bërë për kulturën e grurit”, ka shpjeguar Peci.

20:43

Peci: Ardhja e Mustafës në krye të LDK-së ishte aksident

Faton Peci nga Lista "Guxo", e ka quajtur aksident ardhjen e Isa Mustafës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në DESKU të KTV-së, Peci tha se Mustafa nuk është ai lloj i udhëheqësit i cili rritet në mënyrë organike, por se ka ardhur në pushtetin që e kishte pasur për më shumë se një dekadë aksidentalisht.

Sipas tij, Mustafa është shquar për shkeljen e kauzave të cilat i ka ngritur vetë ai.

“Unë dhe Presidentja jemi rritur në LDK. Z.Mustafa nuk ka qenë një lloj udhëheqësi si dikush që rritet në mënyrë organike. Ardhja e tij në LDK ka qenë një aksident më shumë sepse ka ditur të ngrisë disa kauza që i ka shkelur një nga një. Ai ka ndryshuar pjesën e bërthamës së organizimit për çka është shquar ai”, ka thënë Peci.

Ish-anëtari i LDK-së më tej tha se përpjekja e Vjosa Osmanit për t’u bërë kryeministre derisa ishte në Lidhjen Demokratike, ishte bërë me qëllim që Osmani ta marrë lidershipin e partisë që Mustafa e kishte pasur në dorë për vite të tëra.

“Përpjekja e znj.Osmani për të qenë kryeministre nga LDK-ja ka qenë përpjekje e Osmanit që ta sfidojë z.Mustafa nga pozita që ai kishte si kryeministër në garën e brendshme të LDK-së. Ishte qëllim që ajo të bëhej kryeministre dhe ta marrë lidershipin e LDK-së”, tha më tej ai.


Peci: S’kemi dallime me VV-në, mund të kemi në të ardhmen

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se aktualisht Lista “Guxo” s’ka dallime me Lëvizjen Vetëvendosje, por që në të ardhmen mund të ketë.

Ai përmendi ekonominë si fushë që në të ardhmen mund të kenë mendime të ndryshme.

“Në faza të ardhshme mund të na dallojë qëndrimi ynë karshi ekonomisë, por që në këtë fazë s’jemi ballafaqur me një temë që mund të na dallojë”, deklaroi ai në DESK-un e KTV-së.

Duke folur për temën e energjisë elektrike, Peci tha se ende s’është marrë vendim për shtrenjtim të saj, mirëpo Qeveria me këtë po përpiqet të bëjë balancim.

“Ende s’kemi marrë vendim për shtrenjtim të energjisë, nëse bizneset nuk preken shumë nga rritja, partitë opozitare që janë të djathta, po e kritikojnë qasjen aktuale të Qeverisë. Është një paradoks i llojit të vet. Qeveria është duke bërë balancë, s’po ndërmerr veprime të majta apo të djathta, po bën balancë për shtresat shoqërore”, deklaroi tutje ministri i Bujqësisë.

20:28

Peci: Lista “Guxo” formalizohet gjatë muajit shkurt

Faton Peci, nga Lista “Guxo” ka thënë se kjo listë do të formalizohet gjatë muajit shkurt.

Peci këtë deklaratë e ka bërë në “DESKU” të KTV-së, duke thënë se planifikohet që të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme dhe pas gjashtë muajsh të mbahet edhe Kuvendi zgjedhor i partisë.

“Lista Guxo do të formalizohet gjatë muajit shkurt, ne aplikojmë për formalizim pastaj është një afat 30 ditor kur do të jemi edhe formalisht si subjekt politik dhe mandej do të ndjekim procedurat. Ne kemi një pjesë të konsolidimit në shumicën e qyteteve kryesore të Kosovës, mirëpo gjatë gjashtë mujorit pas shkurtit synojmë një konsolidim më masiv, duke organizuar kuvende zgjedhore në shumicën e komunave, duke e finalizuar me një kuvend zgjedhor pas gjashtë muajsh”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se janë duke punuar intensivisht në platformën politike por edhe në statusin dhe rregullat e brendshme.

Lista “Guxo” sipas tij do të mbetet ideologjikisht e djathtë.

20:24

Peci: Në 10 muaj qeverisje u demonstrua aftësi dhe seriozitet

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, deklaroi se në këta 10 muaj qeverisje, Qeveria Kurti ka demonstruar aftësi dhe seriozitet në punë, derisa theksoi se temat s’duhet të ndahen si të LVV-së dhe të Listës Guxo.

“Si ministër jam bashkëpunues me organet e rendit edhe si vullnet politik, jo vetëm unë por edhe Qeveria. Nëse flasim për qasjen e Kosovës ndaj problematikave, në përgjithësi, Kosova asnjëherë në periudhën e pasluftës s’ka qenë më mirë e përfaqësuar. Kemi një presidente, një kryeministër dhe një kryeparlamentar, që në baza javore kanë takime dhe koordinohen për shumë tema”, deklaroi Peci në DESK-un e KTV-së.

Ai theksoi se brenda dy subjekteve politike ka mendime pro dhe contra, që sipas tij janë vlerë e rëndësishme.