Arbëri

Infermierët thonë se edhe nëse dalin pozitivë me test rapid, duhet të qëndrojnë në punë

Mentor Sejdiu nga Sindikata e Infermierëve ka thënë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk u beson testeve rapid për COVID-19.

Sipas Sejdiut, infermierët që dalin pozitivë me virus me test rapid, konsiderohen vetëm të dyshuar dhe detyrohen të bëjnë një test PCR, ndërsa deri në rezultat duhet të qëndrojnë në vendin e punës.

“Në QKUK kanë dalë me këtë rekomandim që testi rapid të jetë vetëm i dyshuar, nëse del pozitiv. Edhe nëse del pozitiv ki me qëndru në vendin e punës deri ta bën testin PCR. Nëse del pozitiv me PCR, infermierët kanë karantinë pesë ditë. Me këtë po rrezikohen pacientët. Vetëm në Kosovë kjo çështje është e pazgjidhur mes QKUK-së dhe IKSHPK-së, pasi në të gjithë botën njihet testi rapid”, ka thënë Sejdiu në emisionin SOT të KTV-së.

Sejdiu thotë se një çështje e tillë, që po konsiderohet “e lodhshme” për infermierët, është kërkuar të zgjidhet nga IKSHPK-ja.

“Kemi kërkuar zgjidhje nga IKSHPK-ja, të cilët na kanë dërguar disa rekomandime dje, por asgjë për testin rapid. Nëse në krejt botën testi rapid është i saktë, duhet të jetë njësoj edhe këtu. Kjo është çështja që ne kemi kërkuar të zgjidhet. Është e padrejtë që pas një testi rapid, të vrapohet për të bërë testin PCR dhe prapë je pozitiv”, ka thënë Sejdiu.