2 perditesime
23:21

Palokaj përjashton mundësinë që SHBA-ja të marrë rolin kyç në dialog

Korrespondenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj nuk e sheh si mundësi inkuadrimin më direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Interaktivin e KTV-së, Palokaj thotë se SHBA-të nuk e kanë këtë ambicie, pasi sipas tyre kjo mbetet një çështje që i takon Bashkimit Evropian dhe se aty SHBA-ja do që vetëm të ndihmojë.

Palokaj më tej thotë se e sheh pak naive qasjen amerikane, pasi që sipas tij, nuk e kuptojnë se vendet kryesore të Bashkimit Evropian nuk kanë ndonjë interes të madh për të ndihmuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“SHBA-të nuk e kanë atë ambicie, ato duan që kjo të mbetet një çështje që i takon Bashkimit Evropian e që SHBA-të do të ndihmojnë. Aty ku e shoh pak naive qasjen amerikane është që nuk po e kuptojnë se nuk ka ndonjë interes të madh të vërtetë të shteteve kryesore anëtare të BE-së për të ndihmuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sepse t’i thuash Kosovës rruga juaj evropiane është në pyetje në këtë dialog, atëherë kjo rrugë është diçka që nuk mund të përkufizohet se a nënkupton kjo anëtarësimin në BE apo jo, dhe së dyti edhe Serbia nuk është duke përparuar shumë në procesin e negociatave të cilat i ka nisur shumë para Kosovës, Shqipërisë apo Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë ai.

Prandaj, sipas tij, nëse besohet se integrimi evropian është motivi kryesor për të arritur marrëveshje në këtë dialog, atëherë kjo marrëveshje nuk është kurrsesi afër, por një afat shumë të gjatë.

23:16

Palokaj: U dëshmua që BE-ja s’ka kapacitet t’i shtyjë palët drejt marrëveshjes

Korrespondenti i KTV-së në Bruksel, Augustin Palokaj, deklaroi se ardhja e emisarit special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, në Kosovë, është e mirëseardhur, për faktin se sipas tij, kjo do të bëjë që të ketë takime edhe të tjera mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se BE-ja do të jetë e kënaqur me një takim me emisarin amerikan pasi dikur ishte premtuar se zgjidhja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh, mirëpo tani kanë kaluar gati dy vjet.

“Ardhja e Borrellit dhe Escobarit është e mirëseardhur. U dëshmua që BE-ja e vetme s’ka ndonjë kapacitet t’i shtyjë palët të arrijnë marrëveshje, prandaj s’kishte ndodhur takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit në dhjetor. Këto takime do të jenë për ta përgatitur terrenin për takime të tjera”, deklaroi Palokaj.

Ai tha se presioni ndaj Kosovës do të jetë në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Korrespondenti i KTV-së tutje deklaroi se Bashkimi Evropian dhe diplomati Josep Borrell, kanë një raport të butë ndaj Serbisë, derisa kjo e fundit po e rritë përshtatjen me politikën e jashtme të BE-së.

Ai tha se deklarimet e Borrellit se “shtetet që mohojnë gjenocidin s’kanë vend në BE”, s’u panë në mediumet serbe, e kjo ka qenë vetëm për kritikët brenda BE-së.

23:07

Palokaj: Borrelli ka gjuhë më miqësore me Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell tregoi hipokrizi duke thënë në prani të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq se në BE nuk ka vend për mohim të gjenocidit, e të mos i drejtohet asaj për këtë, ka thënë korrespodenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj.

Në një paraqitje direkte në “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se gjuha e Borrellit në konferencën për media në Bruksel me Bërnabiqin, ishte më miqësore se ajo në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi të MSA-së, po në Bruksel.

“Çështja e mohimit të gjenocidit është diçka që përcjellët këtu me kujdes të veçantë, ai e tha në mënyrë të përgjithësuar se ne Evropë nuk ka vend për mohim të gjenocidit. Këtë e përsërisin tash e disa vite mirëpo ishte hipokrizi që ai ta thotë këtë në prani të zonjës Bërnabiq e të mos i drejtohej asaj në mënyrë direkte pasi ajo disa ditë më herët në një televizion në Serbi kishte përsëritur se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë. Pra më shumë është interpretuar se Serbia nuk ka vend, por ka thënë se në Evropë nuk ka vend për mohim të gjenocidit. Toni që pati Borrelli në konferencë për shtyp, me zonjën Bërnabiq ishte pak më miqësor ndaj Serbisë sesa që ishte gjatë konferencës me kryeministrin Kurti gjatë një takimi të Këshillit të MSA-së”, ka thënë Palokaj.

Ndërkohë, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Palokaj ka thënë se janë bërë gati dy vjet prej që Lajçak është emëruar i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog, dhe ka pasur vetëm ecje prapa në këtë drejtim.