Arbëri

Përpjekja e dytë për hapjen e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit

Descriptive Text

Shqipëria ka filluar të implementojë marrëveshjet e përbashkëta me Kosovën, të nënshkruar në Elbasan me 26 nëntor të vitit kaluar. Ditën e mërkurë, në mbledhjen e qeverisë, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë mori vendim që t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë projektligjin për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave. Më pas, në Kuvend ky propozim do të shqyrtohet dhe të miratohet.

“Sot kjo marrëveshje shkon në parlament dhe do të lehtësojë marrëdhënien e ndërsjellët dhe tregtinë ndërmjet dy vendeve tona, duke njohur të gjitha licencat dhe agjencitë doganore që ndodhen në kufi. Të dy vendet do të njohin kontrollet e vetëm një vendi duke ulur kohën e kontrollit doganor. Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit dhe të gjitha lehtësirat që kjo pikë do të sjelli dhe do të njohë disa protokolle të cilat do t’i hapin rrugën të tjerave”, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Financave e Shqipërisë Delina Ibrahimaj.

Çelja e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit ndodh për herë të dytë. Tre vjet më parë, me 15 janar të vitit 2019, është çelur në Portin e Durrësit zyra Doganore e Kosovës, ndërkohë që një zyrë e tillë është hapur edhe në Porto Romano që do të shërbente për karburantet. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar asokohe doganën e Kosovës në Durrës, si hapin e parë të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkaq kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se në pranverën e vitit 2019 kufiri Shqipëri-Kosovë do të ishte një kufi totalisht fluid.