Këshilli i Specializantëve ka njoftuar se e ka ndryshuar datën e protestës para Ministrisë së Shëndetësisë, duke e zhvendosur atë nga dita e premte në ditën e enjte.
Protesta e cila do të mbahet për shkak të pakënaqësisë së tyre ndaj MSH-së do të nisë nga ora 10:00.
“Nesër (e enjte) me dt 27.01.2022. do te mbahet protesta e specializanteve para Ministrisë se Shëndetësisë ne ora 10:00. Dita fillimisht e paralajmëruar - dita e premte, është ndryshuar/zhvendosur për te enjten”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë Këshilli ka renditur pesë pika me pakënaqësitë e tyre, një prej të cilave edhe propozimi i ministrisë për paga.
Këshilli i Specializantëve ka thënë se u njoftua nga MSH-ja për pesë propozimet, që sipas tyre janë diskriminuese. Përveç tyre, ata thanë se ministri nuk po i pranon në takim.
Pikat që MSH-ja ka propozuar sipas Këshillit të Specializantëve:
1. Do të propozohet nga Ministria e Shëndetësisë mbajtja e 2 kujdestarive të cilat do të paguhen si të zakonshme (50 euro) edhe nëse mbahen gjatë vikendit.
2. Kujdestaritë më shumë se 2 do të paguhen përmes një extra kontrate nga SHSKUK
3. Çështja e specializantëve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht 2022. Për pak kohë do të fillon punën grupi punues për ndryshimin e udhëzimit administrativ.
4. Ministri i Shëndetësisë për shkak të situatës me COVID19 nuk ka pasur kohë të takohet me neve.
5. Për pagesën e specializantëve nga Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria është duke u punuar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.