Arbëri

Tahiri: ZRRE-ja me vendim racist, të hetohet nga Prokuroria

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur racist vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për mosngritjen e çmimit të rrymës për komunat veriore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka kërkuar hetim nga Prokuroria ndaj ZRRE-së, nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Tentimi i Qeverisë përmes kryesuesit të Bordit të ZRRE-së për të arsyetuar diskriminimin etnik që ZRRE-ja është duke ua bërë shqiptarëve të Kosovës me rastin ngritjes së çmimit të rrymës, duke përjashtuar kështu komunat veriore nga kjo ngritje e çmimeve, është një veprim i ulët, diskriminues dhe me elemente raciste”, ka shkruar ai. “Si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm nga të gjithë spektri politik, shoqëria civile dhe qytetarët e vendit. Gjithashtu, ftoj prokurorin e shtetit që pa humbur kohë të fillojnë hetimet ndaj ZRRE-së nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet më tej në shkrimin e tij.

 

Në raportin e saj, ku u shqyrtua dhe propozua rritja e çmimit të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk i ka përfshirë katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Kështu ka njoftuar sot Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ku tha se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Kjo me arsyetimin, siç tha ai për procesin gjyqësor që ZRRE-ja është duke zhvilluar sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.