Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) thotë se prokurorja Ferdane Sylejmani është vlerësuar katër herë që nga viti 2013, kur ka filluar vlerësimi sistematik i performancës së prokurorëve.
“Ferdane Sylejmani i është nënshtruar katër herë vlerësimit të performancës gjatë mandatit të përhershëm, ndërsa në mandatin fillestar nuk i është nënshtruar vlerësimit të performancës për shkak se gjatë asaj kohe nuk kishte akt nënligjor e as komision për vlerësimin e performances”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga KPK për emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Ndërsa, lidhur me atë se me çfarë note është vlerësuar prokurorja Sylejmani nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në tre vitet e fundit, KPK thotë se më 2018 dhe 2019 nuk është bërë vlerësim nga eprori, kurse më 2020 është vlerësuar me nivelin mjaftueshëm.
Në përgjigje, KPJ-ja po ashtu theksoi se prokurorja Sylejmani, nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës ka marrë vlerësim ndryshe nga ai i kryeprokurorit.
“Prokurorja Ferdane Sylejmani në vitin 2020 është vlerësuar nga eprori me nivelin “mjaftueshëm”, ndërsa nga Komisioni është vlerësuar me nivelin “pamjaftueshëm”, thuhet tutje në përgjigjen e KPK-së.