Arbëri

Kurti: Kullat e Jasharëve duhet t’i mbrojmë, janë margaritar i historisë së lavdishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku por edhe disa deputetët ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Homazhe në Prekaz u bënë meqë sot bëhen 24 vjet prej kur ndodhi sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.

Nga aty, Kurti tha se në 24-vjetorin e sulmit të dytë, shkuan që të bëjnë homazhe tek varret e tyre, por në të njëjtën kohë i pari i Qeverisë tha se do të shohin edhe ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve. Me këtë rast ai theksoi se është obligim institucional, shoqëror e kombëtar që Kullat e Jasharajve të mirëmbahen meqë janë margaritar i historisë së lavdishme dhe njëkohësisht të historisë së dhimbshme.

“Sot me rastin e 24 vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në 22 janarin e 1998 erdhëm që të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pas të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve, si janë duke u bërë ato shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet. Sot janë bërë 24 vjet prej kur forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë ia mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të parë kullës së Jasharajve[...]Para se të ndodhte Epopeja e UÇK-së ka pasur sulme mbi këtë Kull madje sulmi i parë është qysh në vitin 1991 para se më shumë se 30 vjetëve dhe ne e kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror që këtë objekt të historisë s ë veçantë të Kosovës e kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht edhe të dhimbshme”, ka thënë Kurti.

Pas homazheve Kurti dhe kabineti do të vizitojnë kullat ku do të takohet edhe Familja Jashari, do të vizitohet shtëpia e Hamit e Salë Jasharit dhe të shihen ndërhyrjet emergjente në këtë shtëpi.

Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin, transmeton Koha.net.

Këtij sulmi i kishte shpëtuar Iliriana, e cila ndodhej në Akrashticë të Vushtrrisë. Ajo ishte e fejuar e më pastaj është martuar në Açarevë të Skënderajt, me Asllan Selimin, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, e vëlla i Rexhep Selimit./kp