Gati 5300 vdekje të tepërta janë regjistruar në Kosovë në dy vitet e pandemisë, më 2020 dhe më 2021, në raport me mesataren 5-vjeçare, sipas disa statistikave që i ka publikuar të premten internisti Driton Vela. Kjo ka shtuar dyshimet se shumë vdekje nga COVID-19 nuk janë raportuar në vend gjatë valës së parë të COVID-19.
Ai ka thënë se në vitin 2020 janë regjistruar mbi 2000 vdekje të tepërta apo 23 për qind më shumë në raport me mesataren pesëvjeçare. Për vitin 2021, kanë qenë 3200 vdekje të tepërta në raport me atë mesatare. Në përqindje viti 2021 ka pasur 36 për qind më shumë vdekje në raport me mesataren.
“Edhe pse numri më i madh i vdekjeve ditore nga COVID-19 të raportuara zyrtarisht i takojnë periudhës gjatë valës delta, megjithatë, sipas Agjencisë të Regjistrit Civil numri më i madh i vdekjeve ka ndodhur gjatë valës alfa (muajt mars dhe prill 2021), gjithsej 3040 të vdekur apo rreth 100% më tepër vdekje në raport me mesataren para pandemisë për këta muaj. Këto të dhëna janë indikative për nënraportim më të theksuar të vdekjeve nga COVID-19 gjatë valës alfa”, ka shkruar ai në Facebook.
?Rritja e fataliteteve në Kosovë gjatë pandemisë, gati 5300 vdekje të tepërta, vala alfa më e rënda ?Mbi 2000 vdekje të...
Posted by Driton Vela on Friday, January 21, 2022
KOHA pati raportuar për rritjen enorme të vdekjeve gjatë vitit pandemik. Numri i vdekjeve ishte shumë më i lartë se vitet paraprake. Numri i vdekjeve si pasojë e COVID-19 përbënte vetëm një pjesë të diferencës.
Vetëm në periudhën korrik-gusht 2020 ishin regjistruar gati dyfish më shumë vdekje në raport me vitet paraprake. Përderisa në korrik të 2020-s ishin regjistruar mbi 500 vdekje më shumë se një vit më herët, vetëm 196 prej tyre ishin regjistruar si vdekje nga COVID-19. Rreth 300 tjera s’kishin shpjegim. Edhe më rëndë ishte në muajin gusht. Të ngjashme pati statistika edhe për muajt tjerë në vijim.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, trendi ngritës i numrit të vdekjeve ka nisur të marrë hov të madh në vitet e pandemisë. Më 2021, deri në nëntor, sipas të dhënave preliminare të ASK-së, janë regjistruar mbi 13 mijë vdekje. Më 2020 në nivel vendi u regjistruan 12 mijë e 987 vdekje. Më 2019, në Kosovë ishin 9430 vdekje. 8998 ishte numri i vdekjeve më 2018.
Që kur janë regjistruar rastet e para nga COVID-19, në mars të 2020-s, si pasojë e COVID-19 janë regjistruar 2997 vdekje.
Ditëve të fundit, Kosova po përballet me rritje të rasteve me COVID-19. Varianti Omicron ka çuar në 12 mijë e 396 numrin e rasteve aktive. Të premten pati 2943 raste të reja ditore pozitive duke e bërë kështu ditën më të rëndë deri tash që nga fillimi i pandemisë për raste ditore.