Arbëri

Rritje enorme e vdekjeve gjatë vitit pandemik

Informatat e rritjes së rasteve të vdekjes gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit të 2020-s janë dhënë në një opinion të Avokatit të Popullit, përmes të cilit po ashtu konsiderohet e jashtëligjshme ndërprerja e ofrimit të shërbimeve joemergjente nëpër spitale

Pacientëve, të cilët kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore që nuk kishin të bënin me COVID-19, u janë shkelur të drejtat duke mos u dhënë shërbime.

Një opinion i Avokatit të Popullit, i nxjerrë disa ditë më parë, i ka kontestuar vendimet e Qeverisë që të mos ofrohen shërbimet joemergjente në spitale publike. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i ka quajtur të kundërligjshme këto vendime.

“Vendimet e institucioneve që të mos ketë shërbime për pacientë ‘jo-COVID’ kanë qenë të kundërligjshme dhe kanë cenuar të drejtat e qytetarëve. Dhe, ne kemi adresuar rekomandime të qarta se si duhet të veprojnë në të ardhmen institucionet, në të tilla situata”, ka thënë ai.

Në këtë opinion përmendet rritja enorme e rasteve të vdekjes në Kosovë. Nuk shpjegohen arsyet, por nga të dhënat del që vitin e kaluar, në muajt korrik, gusht e shtator, ka pasur rritje shumë të madhe të vdekjeve, krahasuar me dy vjetët paraprakë.

Në bazë të këtij raporti, në korrikun e vitit 2018 ishin regjistruar 740 vdekje, në korrikun e 2019-s 761, derisa në korrikun e vitit të kaluar 1.126 vdekje. Rrjedhimisht, 500 vdekje më shumë ishin regjistruar atë muaj gjatë vitit të kaluar, krahasuar me dy vjetët paraprakë, kur nuk kishte koronavirus. Zyrtarisht, në korrik, 196 vdekje janë regjistruar si pasojë e COVID-19, derisa për 300 vdekjet e tjera nuk është dhënë ndonjë shpjegim.

Dallime ka edhe në muajin gusht. Përderisa në këtë muaj në vitin 2018 janë regjistruar 630 vdekje, në vitin 2019 - 779 vdekje, në vitin 2020, gjatë muajit gusht janë regjistruar 1.306 vdekje apo rreth 700 vdekje më shumë, krahasuar me muajt e njëjtë në dy vjetët paraprakë. Nga 700 vdekje më shumë në këtë muaj, në krahasim me vitet kur nuk kishte virus, 290 vdekje në Kosovë zyrtarisht janë të regjistruara si vdekje nga COVID-19, ndërsa për 400 rastet e tjera nuk është dhënë shpjegim.

Të ngjashme statistikat janë edhe për muajin shtator.

Sipas po të njëjtit dokument, vitin e kaluar ka pasur mbi gjysmë milioni vizita më pak të pacientëve në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), krahasuar me një vit më herët.

“Nga statistikat e siguruara nga SHSKUK-ja, kemi gjetur se gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2018, në të gjitha njësitë e SHSKUK-së ishin realizuar 1.071.957 vizita ambulantore-specialistike, në periudhën e njëjtë në vitin 2019 ishin realizuar 1.277.190 vizita, derisa gjendja kishte ndryshuar rrënjësisht në vitin 2020, me ç’rast për periudhën e njëjtë kishin realizuar vetëm 72.930 vizita, që do të thotë së krahasuar me vitin paraprak 2019, kemi 531.260 apo mbi gjysmë milioni më pak vizita”, thuhet në dokument.

Sipas këtij opinioni, në QKUK, vitin e kaluar ka mbi 12 mijë operacione të kryera më pak sesa zakonisht. Megjithatë, nuk dihet se ku këta pacientë kanë marrë ndihmën shëndetësore, të mohuar nga sistemi publik, apo nëse e kanë marrë këtë ndihmë.

Spitalet private, sipas opinionit, nuk i kanë raportuar këto të dhëna në Ministrinë e Shëndetësisë, edhe pse me ligj do të duhej që ta bënin një gjë të tillë.

“Nga ana tjetër, MSH-ja nuk ka statistika nga institucionet shëndetësore private lidhur me numrin e vizitave specialistike dhe operacionet elektive, që mund të kemi një pasqyrë të qartë krahasuese të situatës”, thuhet në opinion.

Mbi këtë bazë, sipas opinionit të Avokatit të Popullit, vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndërprerjen e operimeve joemergjente ishte i paligjshëm.

“Përveçse nuk kishte asnjë bazë juridike, nuk kishte asnjë lloj alternative se ku mund të trajtoheshin këta persona dhe shteti nuk kishte marrë përgjegjësitë që i takonin, përfshirë kostot financiare nëse këto shërbime eventualisht mund të merreshin në institucionet private shëndetësore”, është konstatuar në opinion.

Disa herë gjatë vitit të kaluar, por edhe këtë vit, është marrë vendim që të ndërpriten shërbimet joemergjente.

Një vendim i tillë ka bërë që listat e pritjes për shërbime për pacientë të zgjateshin.