Arbëri

Pal Lekaj lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës sa ishte kryetar i Gjakovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës për periudhën sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës.

Siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Gjakovë, Lekaj bashkë me tre persona të tjerë janë liruar nga akuza për keqpërdorim detyre e mashtrim me subvencione.

“Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, si dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë”, thuhet në njoftim të Themelores.

G.R. akuzohej se si financier në Komunën e Gjakovës në periudhën 2008-2012, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e disa mjeteve monetare për të përfituar për vete. Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i ishin bërë biznesit “DPT U.-V.”, me pronar V.H., për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë e pa fatura të rregullta.

Pos Lekajt, edhe drejtori për Bujqësi, I.I., akuzohej se kishin shpërndarë subvencione përmes kompanisë në fjalë në kundërshtim me ligjin.

E pronari i këtij biznesi akuzohej se për gjashtë vjet, në periudhën 2008-2014, kishte dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se kishte lejuar që në vend të fermerëve që ishin në listë për të marrë subvencione, të merrnin të tjerë pa pasur të drejtë.