Arbëri

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinaj, ekspertja dëshmon rreth sinjalizimit dhe interesit publik

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt po vazhdon me dëgjimin e ekspertes Anna Myers, e cila po dëshmon rreth sinjalizimit dhe interesit publik.

Kjo dëshmitare, gjatë dëshmisë së saj në seancën e së enjtes, është duke u përgjigjur në pyetjet sa i përket sinjalizimit, sinjalizuesve, të drejtat e tyre, mënyrat si mund të bëhet sinjalizimi, mbrojtja që u ofrohet sinjalizuesve dhe si rregullohet sinjalizimi në bazë të ligjeve.

Dëshmitarja Anna Myers ka thënë se është drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ndërkombëtar të Sinjalizuesve që nga viti 2018 dhe e njëjta tha se është juriste/avokate dhe është pjesë shoqërisë ligjore në Angli dhe Wells.

Sipas saj, shumë vëmendje është dhënë ndër vite për faktin që sinjalizuesit në vendin e punës të kenë mundësi të fitojnë edhe nga mbrojtja.

Sipas saj, sinjalizuesit në vendin e punës mund të kenë të bëjnë me gazetarët apo organizata si rrjeti i saj apo të ngjashme.

Ajo tha se jep këshilla edhe sa i takon sinjalizuesve në vendin e punës edhe atyre që nuk ndërlidhen me vendin e punës.

“Sa i takon rrjetit që unë menaxhoj, ne punojmë me OJQ një pjesë e të cilave janë organizata që jepin mbështetje për sinjalizuesit, disa jepin këshillim juridik, të tjerë janë të përfshirë në fushata dhe mbështetje”, tha ajo, si dhe shtoi se rrjeti përbëhet nga 14 anëtarë, pra organizata.

“Nëse një individ është përpjekur të ngreh shqetësime me organizatën e vet dhe nuk ka marr asnjë përgjigje, atëherë i takon të bësh informacionin publik, është rrugë e pranueshme për të apo jo?”, ka pyetur avokati Toby Cadman.

Dëshmitarja tha se është ashtu, por se mendon se mund të shkohet edhe te ndonjë gazetar dhe ata pastaj në bazë të etikës profesionale mund të vendosin në bërjen publike apo jo.

Tutje shtoi se publike mund të bëhet edhe vet nga sinjalizuesit, si përshembull përmes rrjeteve sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka thënë se organizata e saj u ka dhënë këshilla individëve që kanë zgjedhur një kanal raportimi.

“Duhet të sigurohet qarkullimi i lirë i informacionit për të siguruar llogaridhënien institucionale. Nëse ka bllokim, në fund të fundit publiku ka të drejtë të di çka po ndodh, çka po i prek, dhe duhet të bëhet publike”, ka thënë Myer.

Tutje, tha se të gjithë e kuptojnë se kur del në publik është rast i vështirë për tu menaxhuar, por jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ajo tha se njerëzit që mbështesin sinjalizuesit apo organizatat e shoqërisë civile gjithmonë më shumë po vihen në shënjestër dhe se sinjalizuesit i drejtohen organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Ajo është pyetur se cilat janë kriteret apo parimet që duhet përcaktuar për bërjen publike të informacionit, për çka u përgjigj: “Vendimi në çështjen “Guha” është në nivel të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pastaj ka nivele të ndryshme, është eliminuar kriteri i mirëbesimit. Çka ka bërë GJEDNJ dhe këtu mbështetem te përvoja ime, nxjerrja publik i informacionit shikohet nga disa aspekte, të cilat do të përcaktonin nëse duhet mbrojtur apo jo personi, ka të bëj me rëndësinë e informacionit, cenimin e interesit publik”.

Tutje, tha se kanë diskutuar më herët nëse sinjalizuesi ka apo jo kanale alternative dhe sa efektive dhe të arritshme janë këto kanale për këta individë.

“Po ashtu interesi publik për informacionin, por ligji për nxjerrjen e informacionit publikisht shikon nëse nxjerrja e informacionit ka shkelur edhe të drejta tjera të njeriut. Autenciteti i informacionit që nxirret në shumicën e ligjeve tani është bërë në mirëbesimin e individit, nuk është proces tërësisht objektiv”, ka thënë ajo.

Sa i përket parimit të interesit publik për informacionin, ajo ka thënë se kjo është një prej gjërave që ka dal në çështjet gjyqësore të GjEDNJ që është pavarësia e autoritetit kompetent, në disa raste është sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë.

“Dhe kur ka shqetësime se si funksionojnë këto institucione, është dalja publikisht. E gjitha ka të bëj me llogaridhënien”, ka thënë ajo, duke shtuar se të gjitha këto duhet parë si funksionojnë këto institucione dhe nëse publiku ka interes për këtë është diçka që duhet parë nga gjykata për të parë nëse është arsyeshme apo jo nxjerrja publike.

Dëshmitarja tha se duhet parë nga këndvështrimi subjektiv, objektiv, prandaj nga këndvështrimi i saj nëse është një dëshmitar apo diçka tjetër dhe do të kishte besimin e arsyeshëm, atëherë mund të ndodhet në pozita të mbrojtura.

Sa i përket parimit për autencitetin e informacionit, ajo tha se ky parim siç e ka kuptuar ajo, siç e kanë trajtuar gjykatat, ka të bëjë me arsyetimin e besueshëm të individit nëse beson se ky informacion që ka është i vërtetë.

“Lejohet ta ketë pasur gabim, në të gjitha shoqëritë ka përgjegjësi individi si e merr dhe përçon informacionit por kjo në bazë të njohurive që ka dhe çfarë ekspertize ka”, tha ajo.

Dëshmitarja ka thënë se në rastin “Guha” punëdhënësi ishte person publik dhe nuk ishte dëm informacioni e interesi publik i shërbimit që ofronte punëdhënësi dhe kjo zbulon edhe rëndësinë e kalimit të barrës së provës te pala tjetër

“Në momentin që ke dëshmuar se ke bërë nxjerrje informacioni për interes publik dhe është bërë dëmtim i takon organizatës të vërtetoj që ke dëmtuar në bazë të nxjerrjes së informacionit”, ka thënë ajo, duke shtuar se i takon punëdhënësit të vërtetoj se kanë punuar në mënyrë të përgjegjshme.

Tutje, tha se njëra prej gjërave që nuk duhet harruar arsyeja pse duhet të nxitet sinjalizimi për interesin publik është që të parandalohet dëmi, e se kjo parashikohet edhe në Ligjin për mbrojtjen e vendit të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.