Arbëri

Murati pas rrëzimit të marrëveshjes ndërkombëtare: LDK sapo bëri histori në Kuvend

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se LDK-ja ka bërë histori në Kuvend, duke rrëzuar, marrëveshjen financiare ndërkombëtare për reformimin e skemës sociale.

Murati përmes një statusi në Facebook, pak pasi kjo marrëveshje dështoi të miratohet në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra-mijera familje.

“LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot. Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi. Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë”, ka shkruar ai.

Murati ka mbajtur edhe një konferencë për media për këtë qëllim, duke thënë se fakti që kjo marrëveshje u rrëzua, për të ka qenë befasi.

Ai ka shtuar se do të takohet gjatë ditës me drejtorin rajonal të Bankës Botërore, për të parë se si qëndrojnë me afate kohore lidhur me marrëveshjen.

“Kam caktuar një takim për sot në ora 16:00 me drejtorin rajonal të BB-së për të parë nëse mund ta ripërsërisim pasi ekzistojnë edhe afatet. Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet deri në muajin qershor, fondet skadojnë. Fakti që kjo marrëveshje u rrëzuar, por mua ka qenë befasi”, ka thënë Murati në konferencë.