7 perditesime
18:25

Zgjidhen tre anëtarë të KPM-së e dy drejtorë në KOSTT

Besnik Berisha, Jeton Mehmeti dhe Fatih Basha janë zgjedhur tre anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave. Mandati i tyre është përzgjedhur me short nga komisioni ad-hoc, ku Besnik Berisha është zgjedhur me mandat katër vjeçar, ndërsa Fatih Basha dhe Jeton Mehmeti me mandat tre vjeçar.

Po ashtu në Kuvend të premten janë zgjedhur edhe dy drejtorë të bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë – KOSTT. Liza Marku është votuar sipas kuotës gjinore, për pjesën e mbetur të mandatit deri në vitin 2024, ndërsa Sead Mujovi nga radhët e komunitetit joshumicë.

12:53

LDK-ja lëshon sallën: Murati po mashtron, marrëveshja ndërkombëtare e njëjtë nga qeveria e kaluar

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i ka thënë GP të VV-së se nuk ka të drejtë të përdorin gjuhë fyese kundër tij dhe t’ia ndalojnë të drejtën e fjalës në Kuvend, pasi Dimal Basha i VV-së e kritikoi se LDK-ja për herë të parë në histori votoi kundër një marrëveshje me SHBA.

“Ministri po mashtron është 100 për qind e njëjta marrëveshje që është nënshkruar nga ministrja Bajrami. Sa i përket demarkacionit zotëri pushtet jeni ratifikoni atë marrëveshje. Po zotohem iniciojeni në Kuvend unë do ta votojë ç’ratifikimim e marrëveshjes. Prandaj mos bëni këso lloj demagogjie”, ka thënë Gashi.

Pas fjalës së tij, LDK-ja e ka lëshuar sallën e Kuvendit.

Kuvendi ka shkuar në pauzë.

12:13

Mungesa e Listës Serbe pamundëson shqyrtimin e Projektligjit për festat zyrtare

Deputetët e Kuvendit nuk e kanë shqyrtuar projektligjin për festat zyrtare në Kosovë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar që të mos procedohet me këtë projektligj, meqë në këtë seancë kanë munguar përfaqësuesit e Listës Serbe.

Në vazhdimin e seancës plenare, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se ky projektligj është trajtuar për herën e tretë.

“Më duket po i rikthehemi për herë të tretë këtij projektligji për ndryshimin dhe plotësimin për Ligjin festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Por, ky ligj e kërkon për shkak të Kushtetutës një trajtim specifik edhe duke qenë komunitetet tjera në sallë, duke pas parasysh që përfaqësuesit serb nuk janë në seancë, atëherë nuk mund të procedojmë fare me këtë projektligj”, ka thënë ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet.

“Të hiqet fare nga rendi i ditës dhe le të mbetet kurdo që krijohen kushtet në kryesi. Sepse në kryesi pak a shumë janë të përfaqësuara krejt grupet politike dhe grupet etnike dhe nëse jepen pëlqimin atëherë le të kalojë. Përndryshe të mos e përsëritëm më në kuvend”, ka kërkuar Gashi.

Deputeti nga IRDK, Fridon Lala tha se janë duke biseduar edhe me Listën Serbe por edhe duke shqyrtuar edhe mundësitë për krijimin e një grupi që të punojë për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji./KP

11:51

Miratohet Projektligji për Gjykatën Komerciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në lexim të dytë Projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se grupi punues ka mbajtur disa takime me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, USAID dhe Oda Ekonomike lidhur me këtë projektligj, dhe se me këtë gjykatë synohet mbështetja e bizneseve.

“Bizneset kanë mundësi për gjyqësi stabile. Bizneset kanë nevojë të mos bien pre e bllokadave gjyqësore. Anëtarët e grupit punues bashkërisht kanë propozuar disa amandamente. Me konsensus janë tërhequr amandamenrtet individuale dhe janë shtuar ato me konsensus. Janë propozuar 33 amandamente. Ato shkojnë në frymë të harmonizimit me disa ligje të tjera që janë në fuqi. komisioni i rekomandon Kuvendit ta miratojë projektligjin dhe amandamentet e propozuara”, ka thënë Kica-Xhelili.

Në votim nuk mori pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç deputetit të saj, Agim Veliu, i cili votoi për.

11:42

Kuvendi miraton Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj

Me 75 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në seancën e sotme projektligjiin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Ndërkohë, nuk ka kaluar Marrëveshja e Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Ndonëse PDK e AAK e kanë mbështetur këtë marrëveshje, LDK-ja ka dalë kundër saj.

11:36

Nuk kalon marrëveshja ndërkombëtare për asistencë sociale

Më 75 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, nuk është miratuar Marrëveshja e Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

LDK-ja votoi kundër, ndërkaq Lista Serbe nuk mori pjesë në votim.

11:16

LDK-ja kundër marrëveshjes së Qeverisë për asistencën sociale, PDK e AAK e mbështesin

Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar seancën plenare, ku po shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë me këtë rast se vlera totale e marrëveshjes kap shumën prej 47 milionë eurove dhe se kjo do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale.

“Me qellim të përmirësimit dhe targetimit të politikave për skemat sociale të familjeve në nevojë, ne si MF kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare. Vlera totale pritet ta kap shumën prej 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtpërdrejtë te familjet në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që në të ardhmen të ofrohet mundësi që të zgjerohet baza e asistencës sociale në përputhje me nevojat e qytetarëve”, ka thënë Murati gjatë prezantimit të marrëveshjes para deputetëve.

Mërgim Lushtaku nga PDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja kanë thënë se grupet e tyre parlamentare do ta mbështesin atë, ndërkaq Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se kjo parti nuk do ta mbështesë marrëveshjen.

“Kjo marrëveshje lidhet me rishikimin e skemave sociale dhe një financim që varet nga Banka Botërore për 47 milionë. Se duhet të reformohet skema sociale pajtohemi të gjithë. Një përpjekje është bërë më 2017 nga ministri i atëhershëm Abrashi. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që Qeveria të marrë kredi për të kryer pagesat e skemave sociale. Çfarë shteti jemi ne që nuk arrijmë me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale. Ju keni qenë më i zëshmi për rritjen e të hyrave dhe një deputet na thoshte çka nuk ka ndodhur më 20 vitet e fundit ka ndodhur më 2021 me rritjen e jashtëzakonshme të të hyrave. Ne si LDK nuk e mbështesim këtë marrëveshje”, ka thënë Hoti.

08:05

Kuvendi vazhdon seancën plenare, shqyrtohet edhe Projektligji për festat zyrtare

Në Kuvendin e Kosovës nuk është miratuar të enjten rezoluta e propozuar nga grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ndër të tjera i kërkonte Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës të mos pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

Rezoluta gjithashtu kërkonte që ekzekutivi të sjellë sa më parë në Kuvend Projektligjin për paga.

Rezoluta e propozuar nga AAK mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër.

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare.

Rendi i ditës për sot:

Rendi i ditës

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-101 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-057 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/ L-089 për Deminim Humanitar,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.