Arbëri

Haradinaj: Çmimi i rrymës është rritur aq sa mafia energjetike nuk e ka pritur

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se çmimi i energjisë nuk është ngritur me 9 për qind, por “aq sa mafia energjetike nuk e ka pritur”.

Sipas tij, ndarja tarifore që nënkupton rritje minimale për shpenzuesit prej 600 kilovat është një mashtrim që nuk mbulohet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka akuzuar sërish Qeverinë Kurti për mashtrim dhe demagogji në qeverisje.

“Çmimi i energjisë nuk është ngrit me 9% por është rritë aq sa as mafia energjetike nuk e ka prit. Ndarja tarifore që nënkupton rritje minimale për shpenzuesit prej 600 kilovat është mashtrim që nuk mbulohet. Rritja do të jetë shumë më e madhe për të gjithë që jetojnë në Kosovë kurse banesat dhe shtëpitë e zbrazëta të diasporës tonë dhe mijëra apartamente të zbrazëta nuk do të mjaftojnë që të maskojnë dëmin që do të ketë xhepi i qytetarit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai shtoi se jo vetëm gjatë këtij dimri, por edhe gjatë dimrave të tjerë qytetarët e Kosovës do të përballen me shtrenjtime jo vetëm në energji, por në shumë fusha.

“Jo veç 100 milionë euro taksa të qytetarit, por shumë më shumë keni shpenzuar për energji këtë gjysmë dimri sepse jeni të paaftë dhe prireni nga mashtrimi. Për ju, jo substanca por pamja është primare. Ky dhe dimrat tjerë do të jenë të gjatë, të errët dhe qe besa edhe të shtrenjtë për qytetarin e Kosovës dhe atë në shumë fusha, jo vetëm në energji”, ka shkruar ai.