Arbëri

Abdixhiku akuzon Qeverinë se e ka futur vendin në krizë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka fajësuar Qeverinë Kurti se e ka futur vendin në krizë me “reagimin e vonshëm” për ngritjen e çmimit të rrymës.

“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjtim të energjisë. Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, ka shkruar Abdixhiku në një reagim në Facebook, pasi Qeveria njoftoi se do të subvencionojë me 75 milionë euro për të zbutur faturat me çmim të ngritur të rrymës.

Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë se s’ka as plane e as ide për zhvillim strategjik. Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti “do ta gjejë sërish fajtorin diku në 20 vjet”.

“Ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës. Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze - ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”, ka shtuar më tej Abdixhiku.

Ai ka paralajmëruar se LDK-ja do të kundërshtojë paralajmërimin e Qeverisë për energjinë të enjten në seancën parlamentare.

“Presim që këtë vendim ta kundërshtojë çdo deputet i përgjegjshëm në Kuvend. Përtej kësaj, një dëm të tillë s’mund ta lejojmë e trajtojmë pa përgjegjësi”, ka përfunduar ai.