Deklarime të ndryshme ka bërë ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, që mbajti edhe pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Hoti.
Pas raportimit të KOHËS për mosdeklarim të pozitave e të të ardhurave nga ndërmarrje e institucione të Serbisë, AKK-ja ka hapur rast lidhur me deklarimin e rrejshëm të pasurisë së Goran Rakiqit.
“Ju njoftojmë se për zyrtarin e lartë për të cilën keni adresuar kërkesën në Agjencinë kundër Korrupsionit, është hapur rast për trajtim.
Sipas Ligjit nr.03/L-159 për Agjencinë kundër Korrupsionit, për çdo dyshim të korrupsionit të raportuar, Agjencia fillimisht vlerëson inicimin e procedurës së hetimeve paraprake, ku në rast të inicimit të kësaj procedure, ndërmerr masat e caktuara për kërkimin, mbledhjen, hulumtimin dhe analizon dokumentacionin dhe informacionin relevant, si dhe ekzaminon rrethanat që kanë lidhje me rastin. Të gjitha veprimet e AKK-së ndërmerren pas ekzaminimit të rastit dhe verifikimit të shkeljeve te pretenduara. Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet nga AKK-ja.
Në vitin 2020 në Qeverinë Hoti, Rakiq në AKK kishte deklaruar vetëm pozitën e zëvendëskryeministrit. Ndërkaq, në Serbi, përveç që s’e ka deklaruar këtë të fundit, në formular e ka futur pozitën e drejtorit të ndërmarrjes publike të pastrimit të Mitrovicës Veriore “Standard”, e regjistruar vetëm në Serbi dhe të asistentit të një shkolle ekonomike në Leposaviq.
Automjetet e ndërmarrjes ku Rakiq figuron si drejtor u panë nëpër media sidomos vitin e kaluar gjatë tensioneve të targave në veri, duke bllokuar rrugët.
Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, e ka mirëpritur lëvizjen e AKK-së, por ka thënë se shoqëria civile pret shumë më shumë punë nga udhëheqja e re e agjencisë, duke përfshirë edhe përdorimin sa më të madh të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
“Do të doja shumë që zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit të mos presin nga gazetarët, nga shoqëria civile që t’i njoftojnë për gjëra të tilla. Do të duhej të ishin pak më vigjilentë dhe të dinë si ta pranojnë formularët edhe nga vetë zyrtarët të cilët i deklarojnë pasurinë sepse Kosova është vend i vogël. Shumë e lehtë është që kjo agjenci ta shfrytëzoje këtë ligj, ta promovojë ligjin dhe përmes promovimit të këtij ligji t’i ftojë qytetarët dhe për zyrtarë që dinë që dikush nuk e ka deklaruar në agjencinë Kundër Korrupsion dhe t’i ftojnë ata t’i lajmërojnë te kjo agjenci”, tha Demolli.
Rakiq nuk është i vetmi zyrtar i lartë që e ka deklaruar ndryshe pasurinë e tij në Kosovë e ndryshe në Serbi. Në vitin 2019 deputeti Slavko Simiq nuk i kishte deklaruar të ardhurat, as konfirmuar mbajtjen e pozitës së shefit të qarkut të Mitrovicës në institucionet e Serbisë që operojnë në Kosovë. Edhe për Simiqin, pas pyetjeve të KOHËS, ka hapur rast antikorrupsioni.
KOHA e ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, si dhe Listën Serbe, që nga e mërkura lidhur me deklarimet e rrejshme të Rakiqit, por nuk ka marrë përgjigja nga asnjëra prej tyre.