Arbëri

VV-ja me plan sikur të qeverive të shkuara për sigurimet shëndetësore

Fillimi i vitit 2023, sipas ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, është koha kur do të fillojnë të mblidhen paratë nga qytetarët për sigurime shëndetësore, ndërsa shërbimet, sipas tij, do të ofrohen më vonë. Në të kaluarën, Lëvizja Vetëvendosje këtë praktikë e konsideronte të paligjshme. E për monitoruesit e sistemit shëndetësor fillimi i zbatimit të Ligjit të sigurimeve shëndetësore në vitin 2023 është i pamundur

Planin e njëjtë për fillimin e zbatimit të Ligjit të sigurimeve shëndetësore, sikur qeveritë e kaluara, e ka edhe Qeveria Kurti.

Në emisionin DESKU të KTV-së, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar se fillimisht do të mblidhen paratë nga qytetarët, e më pas do të bëhet fillimi i sigurimeve shëndetësore.

“Ne në fillim të vitit 2023 do të fillojmë t’i mbledhim premiumet për këtë, dhe unë besoj që këtë vit do të kemi të paktën fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Latifi.

E një plan të tillë, që fillimisht të mblidheshin kontributet ose premiumet nga qytetarët e pastaj të kontraktohen shërbimet, e kanë pasur edhe qeveritë e kaluara.

Në vitet 2016 e 2017, kur kryeministër ishte Isa Mustafa disa herë Qeveria e Kosovës pati vendosur për fillimin e mbledhjes së premiumeve, ani pse ofrimi e kontraktimi i shërbimeve nuk ishte gati.

Por, Lëvizja Vetëvendosje asokohe e kundërshtonte fuqishëm një ide të tillë, me argumentin se është e jashtëligjshme.

“Para se të fillojë vjelja e parave të qytetarëve për sigurime ata duhet publikisht të njoftohen për përfitimet që do të kenë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, kishte thënë më 2016 Visar Ymeri, kryetar i VV-së në atë kohë.

Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve është skeptik për deklaratën e ministrit për mbledhjen e premiumeve. Ai thotë se paratë është e lehtë të mblidhen, por problemet nisin te kontraktimi i shërbimeve shëndetësore.

“Unë konsideroj që nuk jemi aspak të përgatitur. E kemi një fond me vetëm 50 punëtorë, e nuk e di sa janë të trajnuar. Nuk kemi pako të shërbimeve të dizajnuar - pakon bazike. Nuk kemi pothuajse asgjë të përgatitur”, ka deklaruar Kodra.

Ligji për sigurime shëndetësore ka kaluar në vitin 2014. Dy vjet më vonë ka nisur puna në amendamentimin e tij, porse nuk është kryer ende.

Një nga ankesat e opozitës së atëhershme, që sot e drejton shëndetësinë, është vlera e pagesave prej 7 për qind për punëtorët, nga të cilat, gjysma do të paguheshin nga ta gjysma tjetër nga punëdhënësi.

Ligji aktualisht është në proces të plotësim-ndryshimeve, por në draftin e tij nuk përmendet korrigjimi i vlerës së pagesës. Në draft-ligjin e publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës është shtuar një nen që ka të bëjë me gjobat për subjektet që nuk i japin shtetit informatat për personat e siguruar.

Kosova mbetet një nga vendet e rralla në Evropë pa sigurime shëndetësore, ndonëse secila qeveri e subjekt politik e premton në fushata zgjedhore.