Arbëri

“Mos me harru” me imazhet që ia dëshmuan botës krimet në Kosovë

Në formë të thirrjes për të mos harruar, është titulluar ekspozita kolektive e fotografëve që ia dëshmuan botës shumë ngjarje të luftës, duke dokumentuar e ngrirë momente të krimeve makabre, përjetime njerëzore dhe zhvillime dramatike. Masakra e Reçakut është njëri kapitull.

Fotografitë e varrimit të viktimave, reagimi i William Walkerin teksa ecte në gropën e mbushur me trupa, policët serbë të relaksuar në Shtime, kufomat e mbledhura në xhami, janë vetëm disa nga prej imazheve të rreth 20 fotografive të përzgjedhura nga Alban Bujari, Hazir Reka e Nerxhivane Azizi që janë bërë bashkë në ekspozitën “Mos me harru”, e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, të shtunën në 23-vjetorin e masakrës së Reçakut.

Derisa e reflektojnë ashpërsinë e luftës, organizatorët janë përkujdesur që shikuesit të mos tronditen prej imazheve. Ato flasin vetë.

“Jemi munduar të mos vendosim fotografi morbide, që njerëzit të mos trishtoheshin nga ato fotografi”, ka thënë Bujari, fotoreporter i “Kohës Ditore”, fotografitë e të cilit në kohë lufte, pushtuan mediat botërore.

Përzgjedhja e fotografive pa përshkrim, por ku s’nevojitet përshkrimi, siç tregon Bujari, nuk është punë e lehtë.

“Normalisht që nuk të bën të ndihesh mirë, duke marrë parasysh fotografitë e njerëzve që s’kanë gjymtyrë të trupit, pa kokë, pa sy, pa zemër, por edhe në anën tjetër, është mirë kur mund t’i rikujtojmë se çfarë ka ndodhur: që t’ua kujtojmë institucioneve, botës, që ta shohin se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Bujari, duke qëndruar pranë fotografisë së tij, ku shihet William Walkeri në 16 janarin e 1999-s, tek ecën në gropën ku forcat serbe i hodhën trupat e viktimave. Fjala e shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, siç tregon Bujari, ishte vendimtare për rrjedhën e ngjarjeve që çuan në intervenimin ndërkombëtar.

Një fotografi ku shihen dy persona të përqafuar duke qarë brenda një xhamie, është ajo që e emocionon, nga ana tjetër, kolegun e tij, Hazir Reka, që thotë se ka emocione të fuqishme për çdo përvjetor, derisa është kujdesur për mbarëvajtjen e ekspozitës edhe gjatë së shtunës.

“Pata shumë shumë emocione edhe kur erdhi presidentja edhe tani dhe kur i vendosa fotografitë, edhe pse kanë kaluar 23 vjet, plus kur erdhën edhe këta familjarët e Reçakut se unë vazhdimisht shkoj atje. Është hera e parë që sot s’kam marrë pjesë në përvjetor se më është dashur të merrem me ekspozitë. Unë normalisht atë ditë nuk e harroj kurrë”, ka thënë Reka, kurator i ekspozitës, fotoreporter i “Reuters”.

Përveçse policët serbë të Ferizajt e njihnin Rekën dhe kjo e rrezikonte nga ta ai thotë se fotografia në xhami është shkrepur në rrethanë shumë specifike.

“E kam pasur një problem shumë serioz se e kam pasur vetëm një kamerë dhe kamera, kur kam qenë në Reçak në mëngjes herët, ka qenë në defekt. Domethënë e ka pasur mundësinë vetëm mekanike, domethënë s’i ka funksionuar asgjë”, tregon Reka për fotografinë që më pas u përdor nga “Daily Herald” në Shtetet e Bashkuara dhe nga revista të tjera pas saj.

Presidentja Vjosa Osmani e çmoi lart kontributin e fotografëve që vazhdimisht përballeshin me rrezikun e armëve.

“Këto fotografi janë disa nga dokumentimet e këtij krimi të tmerrshëm që ishte krim kundër njerëzimit, por edhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës dhe unë dua t’i falënderoj autorët që në atë kohë e kanë rrezikuar edhe jetën e vet për ta dëshmuar të vërtetën. Si popull i Kosovës, ne s’themi kurrë gjë përveç së vërtetës dhe nuk do të rreshtim së thëni të vërtetën, përkundër faktit që ka përpjekje të mëdha nga ana e Serbisë dhe mbështetësve të saj që ta mohojnë krimin e kryer, ta mohojnë gjenocidin e kryer, duke bërë kështu krim të dyfishtë”, ka thënë Osmani.

“Mos me harru” që është nismë e presidencës dhe e financuar nga Ministria e Kulturës, do të qëndrojë e hapur edhe për një javë.